Më shumë se 200,000 ton plastikë ndot çdo vit Mesdheun

schedule19:47 - 30 Tetor, 2020

schedule 19:47 - 30 Tetor, 2020

Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës në një raport të publikuar së fundmi bën me dije se më shumë se 200,000 ton plastike, ndot çdo vit në detin Mesdhe.

Mikroplastikat përbëjnë 94% të këtyre mbeturinave , ndërsa derdhja e tekstilit përbën një të tretën e mikroplastikës që shkakton ndotje në det.

Egjipti është një nga vendet me ndikimin më të lartë negativ, pasi rreth 74,000 ton në vit ndot Mesdheun që pasohet nga Italia me 34,000 ton dhe Turqia me 24,000.

Deti Mesdhe ka nivelet më të larta të ndotjes plastike në botë. Shumë njerëz që jetojnë në zonat bregdetare apo përgjatë lumenjve e kanë ngritur si shqetësim kryesor.

Sipas IUCN, tashmë mund të ketë rreth 100 milion ton plastikë që ndot ujërat e rajonit.

Minna Epps, drejtore e programit Global Detar të IUCN thotë se ndotja plastike mund të shkaktojë dëmtime afatgjata të ekosistemeve tokësore, detare si edhe të biodiversitetit.

Kafshët detare shprehet ajo, mund të gëlltisin mbeturinat plastike duke sjellë edhe pasoja të rënda,

Ajo gjithashtu shton se mbeturinat plastike lëshojnë kimikate që mund të jenë të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Ndërkohë theksohet se masat aktuale nuk janë të mjaftueshme për të zvogëluar ndotjen nga plastika. Për këtë arsye këshillohet një ndërhyrje serioze në mënyrë që këto 20 vitet e ardhme të zvogëlohet niveli i ndotjes plastike.

“Qeveritë, sektori privat, institucionet kërkimore, konsumatorët duhet të punojnë së bashku, të investojnë dhe të miratojnë modele si edhe praktika për menaxhimin  e  mbetjeve”, thotë Antonio Troya, drejtori i qendrës i IUCN për Bashkëpunimin Mesdhetar.

/abcnews.al/