Federico Chiesa ishte goditja e fundit e Juventusit në merkato. Kampionët e Italisë arritën akordin me Fiorentinën dhe 23-vjeçari i kombëtares italiane firmosi një kontratë 5-vjeçare me bardhezinjtë.
Sot ka qenë dita e prezantimit përpara tifozëve të rinj, edhe pse sulmuesi i djathtë debutoi në takimin e kampionatit me Crotonen, aty ku edhe u ndëshkua me karton të kuq.
“Falënderoj Juventusin për sforcon ekonomike që bëri për të më sjellë këtu. Ndihem krenar që do të mbaj veshur këtë fanellë dhe do të luaj për këtë klub kaq prestigjioz.
Ofendimet dhe kërcënimet e tifozëve të Fiorentinës? Nuk dua të krijoj polemika. Ofendimet e bëra ndaj vëllait tim kanë ardhur nga njerëz që përdorin rrjetet sociale për t’u shfryrë.
Nuk janë njerëz që shikojnë futboll ose bëjnë tifozllëk për skuadrën e tyre. Nuk dua të mendoj më për ta, jam i fokusuar vetëm tek e ardhmja. Nuk mund të mos rri pa falënderuar Fiorentinën dhe qytetin e Firences.
Isha për 14 vite pjesë e tyre dhe jam rritur shumë si njeri. Dua të falënderoj edhe presidentët Della Valle dhe Commisso, mbi të gjitha edhe tifozët që më kanë mbështetur në ditë të mira dhe të këqija“, theksoi Federico Chiesa. /abcnews.al

