Nga Pankaj Mishra, Bloomberg
Gjëja e fundit për të cilën bota sot ka nevojë, në mesin e një pandemie që aktualisht ndodhet në një valë të dytë të madhe infektimesh, është një përplasje e qytetërimeve. Megjithatë, kjo është ajo që duket se po synon të nxisë presidenti francez Emanuel Makron.
Dhe tek shumë udhëheqës myslimanë, ai ka gjetur partnerë të gatshëm dhe të etur për të qenë bashkëpunëtorë në sipërmarrjen e tij. Sipas të gjitha dëshmive, një adoleshent i lindur në Çeçeni, që vrau në mënyrë makabre një mësues në Francë këtë muaj, përfaqëson ende një tjetër rast të radikalizimit në internet, që vjen nga të njëjta forca që kanë nxitur përplasjet mes turmave në Indi, apo milicisë së të djathtës radikale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por Makron zgjodhi t’i përgjigjet aktit mizor me një represion të paparë ndaj komunitetit mysliman në Francë, shoqëruar me një kritikë të ashpër ndaj kësaj feje. Duke pohuar se Islami është “kudo sot në mbarë botën”,Makron tani ka shkuar edhe më tej duke e shpallur qëndrimin e patundur të autoriteteve franceze ndaj publikimit të karikaturave të profetit Muhamed,të cilat e zemëruan fillimisht vrasësin e mësuesit.
Për ta thënë me qartë:Makron e ka vendosur reputacionin global të Francës tek tallja banale e një figure të nderuar nga më shumë se 1 miliardë myslimanë. Të vetë-emëruarit si“kalorës” të Islamit, dhe që kohët e fundit kanë pasur probleme me qëndrimin e tyre në pushtet, e pranuan me entuziazëm “kamerdaren” që u hodhi Makron.
Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, që të dy të rrethuar nga shumë kriza dhe probleme, e kanë sulmuar ashpër presidentin francez.
Madje Erdogan vuri në dyshim shëndetin mendor të Makron, duke e provokuar Francën deri në pikën që Parisi tërhoqi ambasadorin e saj në Turqi.
Bojkoti i produkteve franceze i kërkuar nga Erdogan, po ndodh tashmë në Kuvajt dhe Katar. Protestat masive kundër Makron, po shfaqen në një pjesë të madhe vendesh myslimane nga Libia në Bangladesh.
Ditët e fundit, Islamofobia është rritur ndjeshëm në të gjitha segmentet e shoqërisë, sidomos pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm, se ushqimi hallall në supermarkete ka nxitur separatizmin. Disa njerëz therën më thikë 2 gra myslimane të mbuluara me shami pranë Kullës Eifel.
Strategjia e vetë Makron duket të jetë më se e qartë:të dobësojë pozitat e rivales së tij të ekstremit të djathtë Marin Lë Pen. Menaxhimi i dobët që i ka bërë pandemisë, i ka zvogëluar tashmë shanset e tij përzgjedhjet presidenciale të vitit 2022.
Makron shpreson tani që të nxjerrë vendin nga një krizë ekzistenciale, nëpërmjet retorikës mbi një Francë që ka një madhështi të pakrahasueshme me të tjerët. Dhe ai ka një traditë të gjatë të një lloj retorike të tillë.
Për shembull, shihni si është shprehur ndër të tjera Makron në librin e tij “Revolucioni” në vitin 2016:”Në shpirtin e Francës ekziston një aspiratë universale, që është në të njëjtën kohë një indinjatë e pandërprerë ndaj padrejtësisë dhe shtypjes, dhe një vendosmëri për t’u treguar të tjerëve se çfarë mendojmë ne për botën, këtu, tani dhe në emër të të gjithëve”.
Makron nuk duket se e konsideruar këtë një problem bazik:Sot shumica e njerëzve në botë, nuk e vrasin shumë mendjen se çfarë mendojnë francezët për ta.
Pohimet të tilla si ai e vitit 2007 nga ana paraardhësit të Makron, Nikolas Sarkozi se “afrikanët nuk kanë hyrë plotësisht në histori”, apo deklarata e Makron në vitin 2017, se Afrika ka një problem serioz me “qytetërimin, që vjen nga fakti se gratë afrikane lindin 7 deri në 8 fëmijë”, nuk u kanë dhënë këtyre njerëzve shumë arsye për të rishikuar përbuzjen e tyre.
Duke promovuar jashtë “barrën e njeriut të bardhë”, Makron duket i pavëmendshëm mbi një problem në Francë që po përkeqësohet:Modeli i vjetër francez, që pretendonte të ishte universal dhe superior në të gjitha sistemet shoqërore, është i papërshtatshëm për një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më tepër multi-etnike dhe multi-raciale.
Dhe as “shpirti” i Francës, nuk ka imunitet ndaj tendencave të caktuara globale. Kohezioni social është i rrezikuar në mbarë botën nga rritja e pabarabartë ekonomike, dhe pabarazia ekstreme, dhe nga zbehja e rolit të sindikatave, kishave, gazetave lokale dhe institucioneve të tjera, që dikur ndihmuan në nxitjen pjesëmarrjes qytetare dhe në përgjegjësitë që ka shtetësia.
Të gjitha vendet e mëdha, anëtare të një pakice të radikalizuar në internet, e tronditin në mënyrë periodike jetën publike përmes akteve vicioze të dhunës. Franca duket veçanërisht e papërgatitur për këto realitete të paqëndrueshme, pasi udhëheqësit francezë mund të mbledhin ende një mbështetje të gjerë ndaj ideologjisë së vjetruar kombëtare të shekullarizmit.
Por kjo qasje, vetëm sa mund të armiqësojë më tej pakicat e pakënaqur dhe të vonojë modifikimet e nevojshme tëvetë-imazhit dhe sistemeve politike, ligjore dhe arsimore të Francës. Në fakt, duke lavdëruar pafund traditat politike dhe intelektuale franceze, liderët e saj po i rezistojnë prirjeve të shekullit XXI, Përmendja e citateve të Volterit, dhe figurave të tjera të mëdha të Iluminizmit francez, mund të kënaq fanatikët e laicizmit. Por shumë më tepër njerëz në mbarë në botë po përballen sot me pasojat e gjata tëasaj që Volteri, në mesin e shumë iluministëve të tjerë, kanë thënë mbi zezakët dhe hebrenjtë.
Duke injoruar segmente të ndryshme të popullsisë në vend,situatën e brishtë të sigurisë, si dhe një klimë shumë të paqëndrueshme ndërkombëtare, Makron po synon të përdorë idenë e paqëndrueshmërisë së lavdisë së Francës, si një ofertë për rizgjedhjen ë tij në detyrë. Rreziqet nga oportunizmi i tij, përfshijnë më shumë polarizim të shoqërisë në Francë dhe më të gjerë, dhe konflikte më të forta jashtë vendit. Ato nuk duhet të nënvlerësohen.
/Përktheu: Alket Goce-abcnews.al