Juventusi doli pa pikë nga përballja e mbrëmjes së kaluar kundër Barcelonës. Katalanasit e Roland Koeman fituan 0-2 në duelin e Champions League që u luajt në Torino, teksa kjo ishte humbja e parë e Andrea Pirlos në pankinën e bardhezinjve.
Trajneri ka marrë një lajm të mirë nga infermieria. Kapiteni Giorgio Chiellini është rikuperuar plotësisht dhe sot është rikthyer në stërvitje me shokët e skuadrës. Të dielën (15:00) luhet ndeshja e kampionatit jashtë fushe me Spezian.
Mbrojtësi do të grumbullohet për këtë takim dhe pritet të aktivizohet. Ndërkohë, ditën e nesërme (14:00) do të bëhet prezantimi zyrtar i Federico Chiesa, blerjes më të fundit të kampionëve të Italisë në merkaton që u mbyll disa ditë më parë.
Zhvillime edhe te Interi i Antonio Contes. Drejtuesit e klubit po merren me rinovimin e Stefan De Vrij. Mbrojtësit holandez, pjesë e zikaltërve prej korrikut të vitit 2018, i përfundon kontrata në verën e vitit 2023.
28-vjeçari është kthyer në liderin e prapavijës dhe drejtuesit janë gati t’i ofrojnë zgjatjen e kontratës dhe rritje rroge (përfiton 3.8 milion euro në sezon). Alfredo Pedulla raporton se në orët e ardhshme do të zhvillohet një takim me agjentin Raiola, për të arritur akordin e zgjatjes së bashkëpunimit. /abcnews.al