Nga Nathalie Fustier, Arab News
Këtë vit, OKB-ja kremton 75 vjetorin e saj. E lindur pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, si një përpjekje e përbashkët në dobi të njerëzimit, ajo u krijua për të shpëtuar brezat pasardhës nga “murtaja”’ e luftës, për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut, dhe për të çuar përpara zhvillimin në të gjithë botën.
Përgjatë gjithë historisë së saj, OKB ka shpëtuar miliona jetë njerëzore përmes veprimeve humanitare, ka promovuar lirinë, ka formuar një sistem ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ka vendosur norma për zhvillimin ndërkombëtar, si dhe ka punuar në mënyrë aktive për t’u siguruar fëmijëve arsimin e merituar.
Organizata jonë e përbashkët, është e domosdoshme në kohë përçarjesh të mëdha në botë, dhe kur bashkëpunimi ndërkombëtar është shumë i nevojshëm. Komuniteti ndërkombëtar, po përballet sërish me një tragjedi njerëzore; një kërcënim që rrezikon dekada progres dhe zhvillimi.
Pandemia e sëmundjes së koronavirusit të ri (Covid-19) është një krizë shëndetësore globale e paparë, me ndikime të rënda ekonomike dhe sociale. Ajo është kriza më e rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ka ardhur në një kohë kur multilateralizmi është sfiduar nga një përqasje nacionaliste dhe më të fokusuar tek vetja.
A do të dalim të jemi më të fortë dhe më të mirë-pajisur për të punuar bashkë Apo mosbesimi dhe izolimi në vetvete do të rriten më tej? Që nga marsi i këtij viti, pandemia e Covid-19, i ka sjellë dëme të mëdha jetës tonë, dhe vazhdon të bëjë kërdinë në të gjithë botën.
Më shumë se 1 milion njerëz kanë vdekur, dhe 40 milion janë raportuar zyrtarisht si të infektuar. Shifrat reale, ka të ngjarë të jenë edhe më të larta, dhe do të vazhdojnë që të rriten. Pasojat ekonomike dhe sociale janë të tmerrshme:Rënie negative e pritshme në 172 vende të botës për këtë vit, varfëria ekstreme do të rritet nga 88 në 115 milion njerëz, dhe humbjet e vendeve të punës pritet të prekin rreth 435 milion njerëz.
Tkurrja e rritjes ekonomike globale, ndërlikohet më tej nga një rënie prej 40 për qind të investimeve të huaja direkte, dhe deri në 20 për qind të tregtisë globale. Të gjithë këta shifra, vetëm sa nxjerrin më në pah ashpërsinë e një krize të gjatë, që nuk do të kursejë asnjë vend nga ndikimet e saj shkatërruese.
Ajo do të kërkojë një vendosmëri të përbashkët për t’u ri-ngritur. Pasojat shëndetësore dhe ato socio-ekonomike të pandemisë, janë të ndërthurura mes tyre. Organizata Botërore e Shëndetësisë, po luan një rol kryesor në udhëheqjen e një reagimi shëndetësor në shkallë të gjerë, të koordinuar dhe gjithëpërfshirës, përfshirë një bashkëpunim të ri global – Qasja në Përshpejtuesin e Mjeteve kundër Covid-19 – për të shpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në testet, trajtimet, dhe vaksina kundër Covid-19.
Të gjitha agjencitë e OKB po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të mbrojtur jetën dhe jetesën e më të rrezikuarve, përmes një përpjekje të gjerë për të adresuar aspektet shkatërruese socio-ekonomike, humanitare dhe në të drejtat e njeriut që ka sjellë kjo krizë.
Bashkëpunimi dhe partneriteti midis të gjithë aktorëve, është sot më i rëndësishëm se kurrë më parë. Kjo është arsyeja, pse bashkë me sekretarin e përgjithshëm të OKB, ne përgëzojmë udhëheqjen e Arabisë Saudite, si kryesuese e G20 në vitin 2020.
Ndërsa lehtëson ndërtimin e konsensusit midis vendeve të G20 për disa çështje kritike – si koordinimi i stimujve fiskalë, mobilizimi i burimeve për të adresuar nevojat e menjëhershme të financimit në shëndetin global, dhe lehtësimin e borxhit për vendet më të varfra për t’i ndihmuar ato të kapërcejnë ndikimin socio-ekonomik të krizës së Covid-19 – presidenca saudite e G20 nuk duhet të kursejë asnjë përpjekje për të vijuar drejtimin e reagimit global të emergjencave shëndetësore, dhe rimëkëmbjen ekonomike në të gjithë botën.
Takimi i ardhshëm i Riadit i liderëve të G20-ës, po mbahet në një moment kritik, dhe ofron një mundësi unike për të vazhduar ecjen përpara drejt një të ardhmeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të gjithë. Rreziqet sot janë të mëdha, dhe solidariteti global nuk është vetëm një domosdoshmëri morale, por edhe një domosdoshmëri praktike në një botë të ndërlidhur. OKB dhe G20-ta duhet të forcojnë partneritetin mes tyre, të riafirmojnë mirëkuptimin e përbashkët mbi një rimëkëmbje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, dhe të ecin përpara drejt përmbushjes së “Agjendës 2030 për një Zhvillim të Qëndrueshëm”.
Ajo bën thirrje për asgjë më pak sesa përballimin e pandemive, promovimin e rritjes ekonomike, avancimin drejt zhvillimit të qëndrueshëm për të gjithë, çrrënjosjen e varfërisë, adresimin e ndryshimit të klimës dhe varfërimit të mjedisit tonë, bashkëpunimin për paqen dhe zhdukjen e shumë dobësive të tjera që kanë ekzistuar edhe para krizës aktuale. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al