Shqipëria zbarkon në Skoci, Grima: Dua paraqitje dinjitoze nga vajzat

schedule16:33 - 22 Tetor, 2020

schedule 16:33 - 22 Tetor, 2020

Kombëtarja shqiptare e femrave ka udhëtuar sot drejt Skocisë, ku do të zhvillojë ndeshjen e radhës të vlefshme për eliminatoret e “UEFA Women’s EURO 2022”. Pas katër ditësh grumbullim në Shkodër, përfaqësuesja kuqezi është nisur sot drejt Edinburgut, ndërkohë që ndeshja ndaj Skocisë do të zhvillohet të premten, 23 tetor në stadiumin “Tynecastle Park”, duke filluar nga ora 20:30.

Trajneri Armir Grima, i cili për këtë sfidë ka thirrur 20 vajza, shprehet i kënaqur për impenjimin e shfaqur nga futbollistet e ftuara gjatë këtyre ditëve, ndonëse pandemia COVID-19 ka sjellë edhe probleme duke ndikuar në zgjedhjet teknike.

Duke folur për FSHF.org, tekniku i Kombëtares u shpreh: “Përgatitjet me vajzat gjatë këtyre ditëve kanë shkuar mirë. Personalisht jam i kënaqur me impenjimin e vajzave gjatë këtyre ditëve në stërvitje. Normalisht në kohë të tillë pandemie kemi pasur edhe ne problemet tona, kemi mungesa të rëndësishme në skuadër, por duke parë impenjimin dhe dëshirën e vajzave, besoj se do realizojmë një paraqitje të kënaqshme.

Sigurisht, nuk janë problemet fizike ato që na shqetësojnë, por fakti se disa nga futbollistet nuk kishin mundësi t’i bashkoheshin skuadrës për shkak të pandemisë”, – tha Grima. I pyetur për objektivat që i ka vënë skuadrës në këtë transfertë të vështirë, trajneri shkodran kërkon që Kombëtarja të bëjë një paraqitje sa më dinjitoze ndaj Skocisë.

“Ne presim që të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze me Skocinë. Duke pasur parasysh faktin që edhe futbolli i femrave ka ardhur në rritje, si edhe duke ditur që kemi përballë një ndër ekipet më të mira të Europës, është shumë e rëndësishme për ne që të bëjmë një përfaqësim sa më të mirë”, – vijoi tekniku, i cili synon që skuadra të marrë maksimumin në këto eliminatore dhe të bëjë hapa para në drejtim të rritjes së cilësisë.

“Objektivi ynë në këto eliminatore është që të zhvillojmë ndeshje sa më të mira dhe të arrijmë të marrim maksimumin ndaj kundërshtarëve më të fortë që kemi përballë. Njëkohësisht synojmë që të lëmë poshtë nesh Qipron në renditjen e përgjithshme”, – deklaroi ndër të tjera Armir Grima në prononcimin e tij për FSHF.org.

Shqipëria ndodhet në grupin E të këtyre eliminatoreve të Europianit, me Portugalinë, Skocinë, Qipron dhe Finlandën. Në ndeshjen e fundit që u zhvillua në 11 mars, vajzat kuqezi morën një fitore 0-2 në transfertë me Qipron. /fshf.org