Nga Linda Karadaku
Avokati Tom Gashi ka folur lidhur me akuzat e ngritura nga Gjykata e Speciale për zyrtarët në Kosovë. Në një intervistë në emisionin “Ballkan” në ABC News, ai deklaroi se janë rreth 300 ushtarët të UÇK që janë ftuar në Gjykatën Speciale qoftë edhe në cilësinë të dyshuarve apo të dëshmitarëve. Gashi theksoi se institucioni i Gjykatës Speciale nuk e njeh Kosovën si shtet pasi nuk ka logo, as flamur si dhe as shenja të shtetit të Kosovës në ambientet e saj.
“Tani për tani, për shkak të interesit të klientëve tanë, nuk është që duam t’i bëjmë emrat publikë sepse kështu jemi faktikisht të instruktuar nga ata. Rreth 300 ushtarë të UCK që janë ftuar në gjykatën speciale, qoftë në cilësinë e të dyshuarve dhe pjesa më e madhe në cilësinë e dëshmitarëve. Ajo që duhet të dihet është se tani kemi faktikisht tre akt-akuza të ngritura në gjykatën speciale, dy prej tyre janë ngritur në shkurt të këtij viti, dhe është aktakuza më e famshme, të themi me personat më të famshëm, që është bërë me dije më 24 qershor të këtij viti, kundër presidentit Hashim Thaci dhe zotit Kadri Veseli, që është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Gjykata speciale duket që as nuk e pranon Kosovën si republikë, edhe si shtet, meqenëse nuk kemi as logo, as flamur, faktikisht nuk kemi as shenja të shtetit të Kosovës që duhet ti ketë një gjykatë nëse është e shtetit, e republikës së Kosovës. Nuk keni asgjë që e identifikon këtë gjykatë që është e republikës së Kosovës. Kosovën si territor e njeh edhe Serbia por jo si Republikë”, tha Gashi.
Ndërkohë Taulant Hodaj deklaroi se në deri tani vetëm një aktakuzë është konfirmuar ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Hodaj theksoi se në fund të tetorit do të bëhen publike akuzat ndaj kreut të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë të thirrur nga Gjykata Speciale.
“Pritjet janë legjitime që në tetor, në fund të tetorit të marrim vesh a është konfirmuar apo nuk është konfirmuar aktakuza ndaj zotit Thaci dhe të tjerëve. Deri tani kemi vetëm një aktakuzë të konfirmuar. Gjykata speciale, sipas juridiksionit të saj, ka juridiksionin kohor të caktuar, juridiksionin territorial, por juridiksioni territorial përfshin krimet e luftës të kryera në Kosovë, në ish-Jugosllavi, por edhe ndaj personave që kanë pasur nënshtetësi të ish-Jugosllavisë, që I bie që nëse një shtetas i Shqipërisë, ose që ka qenë shtetas i Shqipërisë, por që krimin e ka bërë ndaj shtetasit të Kosovës të asaj kohe, ka juridiksion mbi atë person, edhe mbi çdo person tjetër potencial që ka mundur të bëjë krime ndaj personit kosovar.
Për shembull, siç përflitet që kanë qenë kampet në Shqipëri, edhe pse është bërë vepra penale në Shqipëri, potenciale, ka juridiksion për shembull ndaj të gjithë atyre personave që kanë bërë vepra penale në Shqipëri. Ka juridiksion ndaj një shtetasi të Shqipërisë nëse shtetasi i Shqipërisë ka bërë krime ndaj një shtetasi kosovar të asaj kohe. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë, edhe për çdo shtet tjetër, nëse ka kryer krime ndaj një shtetasi kosovar të asaj kohe. Kjo është e përcaktuar në ligjin për gjykatën speciale, në mënyrë decizive. Kjo gjendet në ligj, por në lidhje me arrestimin e tyre duhen aranzhime të caktuara dhe besoj se gjykata speciale i ka bërë disa aranzhime të tilla edhe me shtete të caktuara nëse eventualisht I duhet për të arrestuar dikë që gjendet në një shtet tjetër. E ka edhe mënyrën sesi do të funksionojë, do të kërkojë prej atyre shteteve”, përmbylli Hodaj./mv. abcnews.al