Real Madrid, M’Gladbach dhe Shakhtar Donetsk janë kundërshtarët e Interit në grupin B të Champions League. Zikaltrit e nisin sezonin e ri në shtëpi kundër M’Gladbach (e mërkurë, 21:00). Në konferencën e zakonshme për shtypin, Antonio Conte ka prekur disa tema.
Trajneri i Interit nuk dëshiron të dëgjojë fjalën favoritë dhe ndalet te disa nga lojtarët e tij. Humbja në derbin me Milanin duhet lënë pas krahëve dhe Conte pret reagimin e duhur në kompeticionin evropian.
“Sigurisht që shkalla e përvojës është rritur, veçanërisht për atë që bëmë vitin e kaluar, kur luajtëm në grupet e Champions League dhe finalen e Europa League. Grupit i është shtuar edhe Arturo Vidal, një lojtar plot eksperiencë. Ne do të jemi arbitrat e fatit tonë, që shpresoj të jetë pozitiv kundrejt nesh.
Bastoni? Alessandro u rikthye në stërvitje ditën e djeshme. Sigurisht që do të grumbullohet për takimin e nesërm, por ka nevojë për kohë për të marrë veten plotësisht nga koronavirusi. Brozovic e mbylli shumë i lodhur derbin, kështu që nuk duam ta rrezikojmë.
Mendoj se skema 3-5-2 është sistemi më i mirë, nxjerr në pah cilësitë më pozitive të lojtarëve tanë. Luajmë kështu prej një kohe të gjatë, teksa Barella është spostuar disi në të djathtë. Sanchez-Eriksen? Alexis do e nisë si titullar takimin me M’Gladbach. Christian po stërvitet mirë, por e di që mund të japë më shumë. Presim më shumë nga ai.
Ne favoritët e grupit? Reali fitoi titullin sezonin e fundit në Spanjë, kanë fituar disa herë këtë kompeticion dhe kanë disa lojtarë me vlerë mbi 100 milion euro. Habitem kur dëgjoj që nuk janë ata favoritët, më vjen të buzëqesh. Duhet të jemi më serioz në vlerësimet që bëjmë“, përfundon Conte. /abcnews.al