Prej 4 orësh bllokuar në avion, pasagjeri: Ngjitur, askush s’e vret mendjen për Covid-in, na nxirrni

schedule17:51 - 19 Tetor, 2020

schedule 17:51 - 19 Tetor, 2020

Prej më shumë se 4 orësh 180 pasagjerë janë bllokuar brenda në avion në pistë në Rinas, ndërsa ende nuk dihet sesa do të vijojnë që të presin për t’u nisur. Në orën 13:40 pasagjerët hipën në bordin e avionit të kompanisë “Wizz Air”, të linjës Tiranë-Venecia planifikuar për t’u nisur në 14:00. Por pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 4 orë avioni ende nuk është nisur drejt Italisë. Pasagjerëve u është thënë se avioni ka një defekt.

Njëri prej pasagjerëve, Hetem Avdyli u shpreh në një prononcim për Abcnews.al se askush nuk e vret mendjen për atë që po ndodh, ndërsa janë ngjitur me njëri tjetrin dhe vetëm për masa anti-covid nuk mund të flitet. Në avion ka fëmijë dhe të moshuar, të gjithë në pritje të një zgjidhje, të nisjes ose të paktën kërkojnë që të presin në sallë.

Nga ora  13:40 kemi hyrë dhe deri tani. Avioni është prishur. Jemi për Venecia. Nuk po kërkoj, dakord se hekura janë, por këtu nuk po çanë kokën njeri, pasi jemi brenda në avion 4-5 orë, cfarë do të bëhet a do të niset sonte? Avioni është plot, kush po çan kokën për koronë. Distanca është 25 cm maksimalja mes njëri tjetrit. Nuk e vret mendjen njeri. U kërkova të na nxirrnin te salla. Jemi ngjitur, ka kalamaj. Avioni është i “Wizz Air” tha ai.

Gazetari Leonidha Musaj raporton se avioni i linjës Rinas-Venecia ka pësuar avari dhe prej afro tre katër orësh 180 pasagjerët kanë mbetur të bllokuar. Pasagjerët tashmë kanë frikë se dhe në rast se avioni do të rregullohet ai mund të pësojë defekt gjatë rrugës./db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!