Nga Dr.Hasan Bello
Në regjimet komuniste propaganda ishte një nga sektorët më të rëndësishëm. Që me lindjen e kinematografisë, Lenini dhe ideologët marksistë paralajmëruan rolin e saj për përhapjen e komunizmit. Një fenomen i tillë vihet re edhe në vendin tonë. Kinostudio “Shqipëria e re” ishte një nga mekanizmat më të frikshëm. Kjo në kuptimin propagandistik.
Me përjashtim të disa filmave dhe dokumentarëve, pjesa dërrmuese e tyre ishin në funksion të intoksinimit ideologjik, demonizimit të kundërshtarëve të regjimit, luftës së klasave, edukimit të masave me estetikën marksiste-leniniste dhe zbatimit të platformës së Sigurimit të Shtetit për mbrojtjen e regjimit.
Që kinematografia ishte pjesa më e rëndësishme e artit komunist dhe e sektorit të propagandës, kjo dëshmohet nga relacionet e organeve drejtuese të PPSh-së. Për ta ilustruar këtë po i referohemi një raporti të ministres së Arsimit dhe Kulturës, Tefta Cami, drejtuar Komitetit Qendror të PPSh-së me 21 janar 1977 “Mbi gjendjen dhe detyrat për një zhvillim të mëtejshëm të kinematografisë sonë”.
Në këtë raport, ndër të tjera theksohet se: “Tipar dallues i filmave tanë është partishmëria dhe tendencioziteti klasor. Në qendër të tyre po vihet më mirë heroi pozitiv, njeriu ynë i ri me tiparet e moralit komunist”.
Ministria e Arsimit duke vlerësuar arritjet e këtij sektori, jo pa ekzaltim theksonte se, mbi 50% e aktorëve kryesorë janë amatorë. Kjo ishte krejtësisht e vërtetë. PPSh-së dhe mekanizmave që vepronin në Kinostudio i interesonin aktorë proletarë, pa formimin e nivelin e duhur artistik; sepse këta ishin më populistë dhe më afër masave kooperativiste, punëtorëve dhe përgjithësisht nivelit mesatar të kulturës së shoqërisë shqiptare.
Arti dhe kinematografia nuk perceptoheshin si avangardë e emancipimit shoqërorë, por si shtojcë e propagandës. Prandaj, aktorët përzgjidheshin me kujdes, duke krijuar steriotipe që edhe sot e kësaj dite e kemi tepër të vështirë t`i zbresim nga piedestali “artistik”.
Ajo që duhet theksuar është fakti se, filmat e kësaj periudhe pasqyrojnë një realitet të deformuar historik. Mbi të gjitha ato përçojnë frymën e luftës civile që filloi në vitin 1943 dhe vijoi pas vitit 1944 në formën e luftës së klasave.
Një aspekt tjetër, i cili përbën një ligjësi historike është fakti se sa më tepër që një diktature i afrohet fundi, aq më shumë ajo shton dozat e propagandës. Për ta ilustruar këtë po sjellim një statistikë mbi numrin e filmave artistikë, dokumentarë dhe kinoditaret e Kinostudios “Shqipëria e re” nga viti 1959 deri në vitin 1980.
Ky hark kohorë pasqyron kurbën e ngritjes dhe rënien e vetë regjimit komunist. Siç do ta shihni dhe më poshtë sa më shumë dobësohet regjimi, aq më shumë shtohet prodhimi i filmave (propaganda).