“Ronaldo përfiton prej të tjerëve, Messi i vetëm bën shumë gjëra”

schedule21:31 - 18 Tetor, 2020

schedule 21:31 - 18 Tetor, 2020

Mircea Lucescu do të drejtojë ukrainasit e Dynamo Kiev kundër Juventusit dhe Barcelonës, skuadra që kanë në gjirin e tyre emra si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Padyshim dy nga më të mëdhenjtë e të gjithë kohërave në historinë e futbollit, për të cilët Lucescu bën edhe një krahasim. E kanë bërë edhe shumë të tjerë dhe bota është e ndarë se cili prej tyre është më i miri.

“Jam përballur me ta shumë herë, por jo lojtarët e mi. Ata do të përballen me ta së shpejti dhe duhet t’ua shpjegoj atyre si janë si lojtarë. Messi është një futbollist i shkurtër, i jashtëzakonshëm në hapësira të ngushta për shkak se ka një ‘start’ të fuqishëm, ka shumë vetëbesim dhe driblon për shkak të këtyre cilësive.

Ronaldo është një tjetër lloj lojtari, pasi dëshiron shumë të realizojë gola dhe ka nevojë për më shumë hapësira. Ai ka nevojë për ndihmën e të gjithëve, ka nevojë për ndihmën e shokëve të skuadrës. Messi mund të bëjë shumë gjëra i vetëm.

Ronaldo mund të punojë vetëm në zonën e penalltisë ose 20 metra larg zonës, por përpiqet të shfrytëzojë avantazhet prej hapësirave që krijojnë lojtarët e tjerë dhe më pas të godasë. Kjo është e gjitha: ata janë lojtarë të ndryshëm, por që të dy janë lojtarë shumë të fortë”, është shprehur Lucescu në një intervistë për FIFA. /abcnews.al