Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka reaguar politikanit serb, Nenad Çanak, ndaj deklaratës dhënë së fundmi në lidhje me varrezat masive të shqiptarëve të vrarë nga regjimi serb në luftën e fundit në Kosovë.
Kurti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se familjet në Kosovë janë duke i kërkuar ende më të dashurit e tyre, duke shpresuar se ata mund të gjinden një ditë.
Ndër të tjera ai shkruan se asnjë paqe e qëndrueshme s’mund të arrihet për sa kohë që Serbia fsheh varret masive të shqiptarëve të ekzekutuar dhe kidnapuar.
“Në një debat televiziv të Serbisë, Nenad Çanak thotë se kur ministri i Policisë, Dusko Mihajloviq thotë s’mund të fle “më duhet ta ndajë këtë me ju. Ne kemi gjetur 16 varre masive në Serbi”. Familjet në Kosovë po kërkojnë ende për më të dashurit e tyre, duke shpresuar se ata mund të gjinden një ditë. Asnjë paqe e qëndrueshme s’mund të arrihet përderisa Serbia fsheh varret masive të shqiptarëve që ata ekzekutuan dhe kidnapuan”, ka shkruar Kurti në Tëitter.
Ndërkohë ish-kryetari i Parlamentit të Vojvodinës njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate, Nenad Çanak, në një debat televiziv ka folur për ekzistimin e varrezave masive të shqiptarëve në Serbi.
Gjatë debatit në emision “Çirilica”, Çanak, ka folur për deklarimet e ministrit te atëhershëm të policisë lidhur me ekzistimin e 16 varrezave të mundshme, për të cilat ishte marrë vendim që të mos flitej publikisht.
“Ekziston një gjë tjetër, që ma bëri me dije se kemi telashe. Kishte qenë një mbledhje e Opozitës Demokratike. Më duket ti ke qenë aty Çedo, kur ministri i Policisë, Dushko Mihajlloviq, e tha këtë fjali “Nuk mund të fle. Më duhet ta ndaj këtë me juve. I kemi gjetur 16 varreza masive në Serbi”.
Pra, 16 varreza masive në Serbi. Dhe kur kam parë se çfarë kemi gjetur aty – duhet ta ndaj këtë me ju – dhe të merremi vesh se çfarë duhet bërë me gjithë këtë. U paraqita për të folur, dhe i thashë se nuk e kuptoja pyetjen. Kjo ka qenë shpejt pas 5 tetorit, mbase janari a shkurti. “Çka të bëjmë me gjithë këtë”, i thashë, nuk po e kuptoj pyetjen. Nuk jemi këtu për t’i fshehur krimet e ish-regjimit, por që t’i zbulojmë.
D.m.th. nesër konferencë për shtyp, t’i marrim me vete gazetarët prej një lokacioni në tjetrin që të bëhen xhirime e që më pas të vendosim se çfarë do të bëjmë. Atëherë, Zoran Gjingjiqi, i cili përherë është mbajtur i rezervuar se nuk kishte qejf ta impononte mendimin e tij, ani që ka pasur peshë të madhe. Tha: “Jo, jo. Këtë punë duhet hetuar, por nuk duhet dhënë shumë publicitet, sepse kush do të investojë në një shtet ku sa herë që të mihësh tokën do ta nxjerrësh një kafkë. Atëherë e kuptova se e kishim një problem të brendshëm serioz”, u shpreh Çanak./abcnews.al