Thaçi e urdhëron largimin e Vlora Çitakut nga Uashingtoni

schedule14:22 - 7 Tetor, 2020

schedule 14:22 - 7 Tetor, 2020

Presidenti Hashim Thaçi e ka nënshkruar dje dekretin për tërheqjen e bashkëpunëtores së tij shumëvjeçare, ambasadores Vlora Çitaku, nga misioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas pesë vjetëve shërbimi në Uashington, Vlora Çitaku do të kthehet përfundimisht në Kosovë. Kthimi i saj nisi me shkarkimin nga ish-kryediplomati Glauk Konjufca e tash ai është nënshkruar nga Presidenti Thaçi.

Sipas dekretit që e ka siguruar Gazeta Express, Presidenti Thaçi më 2 tetor eka urdhëruar largimin e ambasadores së deritanishme nga misioni në ShBA.

“Urdhërohet tërheqja e znj. Vlora Çitaku nga pozita e Ambasadores/Shefes së Misionit diplomatik të Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me seli në Uashington”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Çitaku do të qëndrojë në Uashington deri në emërimin e ambasadorit të ri.

Ambasadorja në largim në pesë vjetët e fundit zakonisht komentohej për fjalimet e saj në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku e përfaqësonte Kosovën.

Ujërat ne Ambasadën e Kosovës në Amerikë u trazuan kur ish-ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, mori vendim që ta shkarkonte Çitakun nga pozita që e mbante.

Duke u ditur rivaliteti i madh mes Vetëvendosjes, që tash po e udhëhiqte diplomacinë, me presidentin Thaçi dhe njerëzit e tij, njoftimi i Konjufcës për largiim të saj nga misioni diplomatik nxiti reagime.

Ish-zyrtarja e lartë e PDK’së deklaroi atë kohë se do ta respektonte vendimin që vinte nga ministri Konjufca, dikur rival i saj.

“Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar”, pati shkruar Çitaku në Facebook.

Në atë reagim, ambasadorja thoshte se nuk lejonte të ishte mjet për përplasje mes Qeverisë së Albin Kurtit me Presidentin Hashim Thaçi.

“Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës”, kishte shkruar ajo.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme i kanë thënë Expressit se vendimi i Konjufcës në rastin e Çitakut nuk ishte kthyer prapa, as pas ndërrimit të Qeverisë.

Gjatë misionit të saj diplomatik, Çitaku është sulmuar disa herë për shkak të së kaluarës së saj në PDK dhe raportit të ngushtë me Presidentin Thaçi.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj e pati quajtur Çitakun “ambasadore të Thaçit” e jo të Kosovës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!