Këshilli Evropian këtë të martë ka bërë përditësimin e listës së parajsave fiskale vende që garantojnë taksa të ulëta ose edhe zero, gjë që i kthen ato në një lloj strehe për evazionin fiskal. Anguilla, një territor britanik i vendosur në Karaibe dhe Barbadosi kanë hyrë në listë.
Ndërkohë nga kjo listë kanë dalë Ishujt Kajman dhe Omani, sepse kanë miratuar reformat e nevojshme për të përmirësuar kornizën e tyre të politikës fiskale.
Anguilla dhe Barbados u përfshinë në listën e BE pas raporteve të botuara nga Forumi Global mbi Transparencën dhe Shkëmbimin e Informacionit për Qëllime Tatimore, i cili uli vlerësimet e Anguillas dhe Barbadosit, përkatësisht, në “jo të pajtueshme” dhe “pjesërisht në përputhje me standardin ndërkombëtar për transparencën dhe shkëmbimin e informacionit sipas kërkesës”.
Pas këtij përditësimi, janë dymbëdhjetë juridiksione të mbetura në listën e BE: Samoa Amerikane, Anguilla, Barbados, Fixhi, Guam, Palau, Panama, Samoa, Seychelles, Trinidad dhe Tobago, Ishujt Virxhin të ShBA dhe Vanuatu.
Ishujt Kajman janë hequr nga lista e parajsave tatimore pasi miratuan reforma të reja brenda kornizës së saj mbi fondet e investimeve kolektive shtatorin e kaluar. Omani u konsiderua në përputhje me të gjitha angazhimet e tij pas ratifikimit të Konventës së OECD për Ndihmën e Ndërsjellë Administrative në Çështjet Tatimore, si dhe pasi kishte miratuar një ligj për të lejuar shkëmbimin automatik të informacionit dhe pasi kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për të aktivizuar marrëdhëniet e saj të shkëmbimit të informacionit me vendet anëtare të BE-së.
Lista e BE-së përfshin një numër vendesh jo-anëtare të BE-së që inkurajojnë praktika abuzive të taksave, të cilat dëmtojnë të ardhurat nga taksat për vendet anëtare./abcnews.al