Drejtori i përgjithshëm i kompanisë shtetërore ukrainase për tregtinë e armëve “Ukrspetseskport”, Vadym Nozdria deklaroi se janë interesuar për prodhimin e përbashkët me Turqinë të dronëve të armatosur TB2.
Madje, ai theksoi se janë gati të blejnë 48 dronë të tillë nga shteti turk, të cilët synohet të përdoren në pjesën lindore të vendit kundër separatistëve pro rusë.
Kreu i “Ukrspetseskport” u shpreh se janë të gatshëm të blejnë 6-12 sisteme të këtyre dronëve. Ccdo sistem përbëhet nga 4 dronë dhe një qendër kontrolli, e cila bën koordinimin e tyre.
Lexo edhe: Turqia po furnizon Serbinë me dronë vrasës, eksperti kroat jep alarmin
Ai shtoi se kostoja do të ulet me një të tretën për shkak se do të ketë prodhim të përbashkët dhe se këta dronë mund të jenë pak më ndryshe se versioni i dronëve SIHA të Turqisë. Sipas tij, janë zhvilluar bisedimet edhe për mundësinë që dronët SIHA të prodhimit të përbashkët të Ukrainës të eksportohen në të ardhmen në tregje ku nuk është Turqia.
Lexo edhe: Turqia do të furnizojë Serbinë me dronët vrasës: “TB2” po shkakton tmerr në Nagorno Karabakh
“Për dronët e blerë nga Turqia vazhdon procesi i testimit kryesisht në stinën e dimrit dhe se porosia e mëpasshme është e lidhur me rezultatet e këtij testi”, tha Nozdriya.
Teknologjia e dronëve
Pavarësisht problemeve të mëdha ekonomike dhe politike, investimet e viteve të fundit e kanë kthyer Turqinë në një fuqi të rendësishme të luftës ajrore në Europë dhe më gjerë.
Dronët turq TB2 të njohur edhe si “Bayraktar” janë duke goditur objektiva kundërshtare në rajone të ndryshme të botës. Në Siri, dronët turq janë duke qëlluar mbi kurdët e PYD, të cilët kontrollojnë veri-lindjen e vendit, ndërsa në Libi forcat e qeverisë islamiste filluan të “marrin frymë” kundrejt ushtrisë së gjeneralit Haftar pasi në lojë u futën dronët turq, të cilët janë konsideruar edhe si “game changer” kudo ku janë përdorur.
Sëfudnmi, dronët turq janë duke u përdorur gjerësisht nga Azerbajxhani në luftë kundër forcave armene në rajonin e Nagorno Karabakh duke i shkaktuar mjaft humbje kundërshtarëve. Në lidhje me këtë, Armenia ka akuzuar Turqinë se po mbështet Azerbajxhanin me teknikë ushtarake dhe specialistë.
“TB2” janë fjala e fundit e teknologjisë së dronëve në Turqi. Ky është versioni i dronëve të armatosur, të cilët mund të qendrojnë në ajër për orë të tëra duke lëshuar raketa vdekjeprurëse ndaj objektivit.
Më herët, ishin amerikanët ata që i përdorën gjerësisht dronët vrasës për të eliminuar personazhe të njohur të terrorit, ndërsa Turqia është e dyta që shënon një përdorim kaq të gjerë.
Një fakt i tillë ka shkaktuar shqetësim për shkak se sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, të qëlluarit me raketë përmes një droni ndaj një personi, qoftë edhe të shumë kërkuar, është në vetvete firmosja e një dekreti për vrasje.
Pikëpyetja e madhe në këtë rast është se kush e firmos këtë vrasje duke mos i dhënë mundësi objektivit që të dorëzohet.
Të dhëna teknike
Droni TB2 është projektuar dhe prodhuar nga kompania turke Bayraktar. Zhvillimi i dronit filloi në vitin 2007, dhe dy vjet më vonë ai bëri fluturimin e parë. Në 2014, zhvilluesit i treguan ushtrisë turke versionin e tyre përfundimtar dhe në mars 2016 “TB2” u miratua zyrtarisht nga ushtria turke, shkruan abcneës.al.
“TB2” mund të ngjitet në një lartësi prej më shumë se 7 300 metra dhe të qëndrojë në ajër deri në 24 orë, shkruan abcnews.al.
Droni mund të kontrollohet nga qendra e kontrollit në një largësi deri në 150 kilometra. Ka një shpejtësi maksimale prej 250 kilometrash në orë dhe shpejtësi mesatare operimi 130 kilometra në orë.
Ka një gjatësi prej 6.5 metra dhe gjerësi të krahëve 12 metra. Pesha maksimale e tij është 650 kilogram dhe mund të mbajë një ngarkesë prej 55 kilogramësh.
Droni mund të mbajë deri në 4 raketa të drejtuara me lazer.