“Cineworld”, një prej operatorëve më të mëdhenj të kinemave në botë ka marrë një vendim të rëndësishëm.
Sipas mediave ndërkombëtare, bëhet me dije se ajo do t’i mbyll sërish dyert e kinemave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Irlandës, kjo pasi studiot e mëdha filmike i kanë shtyrë lancimet e disa filmave më buxhet të lartë.
Kompania “Cineworld” e cila i menaxhon disa prej rrjeteve më të mëdha të kinemave si “Regal”, “Picturehouse”, “Cinema City” dhe “Yes Planet”, i ka shkruar letër kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson dhe Ministrit të Kulturës, Oliver Dowden, për t’i paralajmëruar se industria e filmit është në shkatërrim e sipër.
“Regal” e cila i rihapi dyert për publikun në korrik të këtij viti, pas lirimit të masave të sigurisë si pasojë e COVID-19, ka të punësuar rreth 45 mijë njerëz në 787 kinematë e saj anembanë Amerikës, Anglisë dhe Europës Qendrore.
Nga ana tjetër, numri i vizitorëve këta tre muajt e fundit ka qenë shumë i vogël, derisa kinematë e vogla dhe të pavarura kanë paralajmëruar se ka gjasa të mos i mbijetojnë kësaj pandemie. Filmi i parë me buxhet të lartë që u lancua nëpër kinematë botërore që nga rihapja e tyre është, “Tenet”. l.k/abcnews.al