Aromë Superioreje në kombëtare, kush janë 8 futbollistët që bënë hapin e madh

schedule08:36 - 4 Tetor, 2020

schedule 08:36 - 4 Tetor, 2020

Edy Reja një ditë më parë publikoi listën e futbollistëve për ndeshjet me Armeninë, Kazakistanin dhe Lituaninë. Mes shumë emrave, një pjesë e tyre janë produkt i futbollit shqiptar që më së shumti lakohet për problematikat e shumta.

Janë plot 8 futbollistë që kanë provuar të luajnë me ekipe shqiptare, para se të bëjnë hapin e madh. Për Endri Çekiçin situata është pak më ndryshe nga të tjerët. Fantazisti ka luajtur pak ndeshje me Pogradecin në Kategorinë e Parë, në moshë shumë të re dhe më pas provoi kupat e Europës me Teutën.

Fill pas ndeshjes me Dacia u shit te Dinamo Zagreb në Kroaci. Në këtë vend tani po spikatin tre prej futbollistëve të ftuar për herë të parë me Shqipërinë. Sherif Kallaku si profesionist për herë të parë është aktivizuar me Laçin, për të kaluar më pas te Teuta.

Dy sezone te Teuta dhe transferim për 150 mijë euro te Lokomotiv Zagreb. Pasi u kthye në lider në Durrës dhe te Shqipëria U21, tani është momenti të luajë për kombëtaren e madhe. Enis Çokaj dhe Jon Mersinaj janë produkt i Shkëndijës së Tiranës.

 

Mesfushori për 6 muaj spikati me Laçin në Superiore dhe më pas te Lokomotiva mori statusin e titullarit. Edhe mbrojtësi bëri në sezon në kampionatin tonë, duke luajtur rregullisht me kurbinasit dhe më pas u konfirmua në Kroaci. Reja e kishte piketuar prej kohësh dhe këtë herë Mersinaj shpreson të debutojë me Shqipërinë.

Lorenc Trashi, i ftuar kohët e fundit, është produkt i futbollit shqiptar. Nga Gramshi, në Lushnjë dhe më pas te Partizani. Gjashtë vite me të kuqtë, titull kampion dhe tani pjesë e kombëtares. Një vend e ka fituar me kohë edhe Ylber Ramadani, të cilit i dha një dorë Adolfo Sormani.

Lider në mesfushën e Partizanit dhe pastaj një nga më punëtorët në Danimarkë me Vejle BK. Myrto Uzuni është një tjetër lojtar që në Superiore ka spikatur me Laçin, para se të luante me Tomorin e Apoloninë.

Në Kroaci ai ishte një nga më të mirët dhe fitoi një vend në kombëtare, gjë që tani e ka bërë Albi Doka. Produkt i Tiranës, nga ekipi i dytë i bardhebluve në të parin, rënie në Kategori të Parë, rikthim në elitë, një vit vuajtje dhe më pas kampion. Tani qershia mbi tortë, ftesë nga kombëtarja pas paraqitjeve të mira në Kroaci me NK Gorica. /abcnews.al