Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell, President i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesmekanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e HEC Skavicë.
Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin.
Memorandumi vlerëson përvojën unike dhe të zgjeruar të Bechtel në projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inxhinierike novatore si dhe të financimit të nevojshëm për realizimin e këtij projekti kompleks, zgjidhje të cilat nuk janë zbatuar ende në Shqipëri.
Sipas njoftimit të ministrisë me këtë Memorandum Bashkëpunimi, palët angazhohen të punojnë së bashku në të gjitha fazat e këtij procesi për të gjetur zgjidhje të përshtatshme për realizmin e këtij projekti me rëndësi kombëtare. Palët kanë shprehur interes gjithashtu, që krahas bashkëpunimit të tyre në fushat e projektimit dhe zbatimit të punimeve, të trajtojnë edhe financimin e duhur të Projektit, që të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompania Bechtel do të përgatisin dhe miratojnë bashkarisht Planin e Veprimit për zbatimin e Projektit, i cili do të përfshijë edhe statusin aktual të dokumentacionit teknik të projektit, planin e veprimtarive të projektit, modelet e propozuara të financimit, drejtuesit e veprimtarive të projektit dhe afatet për zbatimin e suksesshëm të Projektit.
Ndërtimi i HEC Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektro-energjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit. Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës./abnews.al