Debutues të shumtë te Shqipëria, Reja i merr një portier Italisë

schedule08:40 - 3 Tetor, 2020

schedule 08:40 - 3 Tetor, 2020

Shqipëria luan më 7 tetor kundër Armenisë miqësore, ndërkohë që më 11 dhe 14 tetor në plan janë ndeshjet e Nations League kundër Kazakistanit dhe Lituanisë. Trajneri Edoardo Reja nuk do të ketë disa prej senatorëve të kombëtares.

Hysaj ka marrë karton të kuq, ndërsa Roshi është i dëmtuar. Jashtë liste pritet të mbeten edhe sulmues si Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi, ndërsa ka dyshime për Armando Sadikun. Trajneri Reja do të dalë në 11:00 para mediave dhe do të shpallë listën.

Deri më tani janë zbuluar disa risi dhe katër futbollistë pritet të jenë për herë të parë pjesë e kombëtares shqiptare. Sherif Kallaku, Albi Doka dhe Jon Mersinaj që aktivizohen në Kroaci janë pjesë e listës për tre ndeshjet e radhës së kombëtares.

Surpriza është portieri Marco Molla, i cili kishte devijuar dhe po përfaqësonte moshat e Italisë. Shtatlarti është ftuar nga Shqipëria dhe kjo konfirmohet nga klubi i Bologna, që e ka njoftuar diçka të tillë përmes webit zyrtar. /abcnews.al