Pas shpërthimit në Bejrut, Libani ka kërkuar nga agjencia ndërkombëtare e policisë Interpol të lëshojë urdhër-arrestime për kapitenin dhe pronarin rus të anijes, që ka dërguar nitrat amoni.
Mediat e huaja bëjnë me dije se materiali është bërë shkak për shpërthimin e ndodhur në gusht në portin e Bejrutit, i cili ka lënë afro 200 njerëz të vrarë, mijëra të plagosur dhe ka shkatërruar qendrën e qytetit.
Autoritetet kanë thënë se afro 3,000 tonelata nitrat amoni – një material që përdoret për pleh, por edhe eksploziv janë ruajtur në kushte të këqija në portin e Bejrutit për vite me radhë.
Është e paqartë se si dhe pse është braktisur ngarkesa në Bejrut. Ndërkohë në lidhje me shpërthimin deri më tani janë arrestuar rreth 20 persona, përfshirë zyrtarë të portit dhe doganave.
Rhosus, një anije mallrash me flamur moldav, që lundronte nga Gjeorgjia në një fabrikë eksplozivi në Mozambik, thuhet se i ka dërguar materiet në Bejrut në vitin 2013.Rhosus nuk është larguar kurrë nga Bejruti, për shkak të një mosmarrëveshje ligjore mbi tarifat e portit dhe defektet e anijes./abcnews.al