Pa konsensus me PD-në në Këshillin Politik, PS shqyrton nesër “Listat” te “Ligjet”

schedule22:20 - 1 Tetor, 2020

schedule 22:20 - 1 Tetor, 2020

Me akuza ndaj njëra tjetrës, mazhoranca dhe opozita shpenzuan edhe një tjetër ditë pa konsensus për reformën zgjedhore. PD kërkoi sot që misioni i ODIHR të shuajë sherrin për koalicionet, ndërsa PS akuzon se po synohet krizë kushtetuese.

E ndërsa sot takimi në Këshillin Politik u mbyll pa marrëveshje, shumica është e vendosur për të vijuar me draftin që ka paraqitur.

Nesër në orën 11:00 do të mblidhet Komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar nen për nen projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””.

Fillimisht shumica deklaroi se në 1 tetor ndryshimet do të miratoheshin, por afati i vendosur u shty pas presionit ndërkombëtar, ndërsa opozita jashtë parlamentit paraqiti një draft alternativ, që kërkon hapjen 100% të listave dhe renditjen kandidatëve sipas rendit alfabetik.

Mbledhja e djeshme u bojkotua nga opozita brenda parlamentit me argumentin se sot do të zhvillohej mbledhja e tryezës së Këshillit Politik.

Por sot nuk u arrit konsensusi dhe shumica socialiste bashkë me opozitën brenda parlamentit nesër do të diskutojnë nen për nen draftet. Në tryezë janë tre drafte, i shumicës socialiste dhe dy nga opozita parlamentare, ndërkohë propozimi i opozitës së bashkuar ndodhet në Këshillin Politik./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!