Ekonomia do tkurret me 7,5%, FMN: Merrni masa për të parandaluar një pandemi më të rëndë

schedule15:28 - 29 Shtator, 2020

schedule 15:28 - 29 Shtator, 2020

Nga Erblina Mile

Përkeqësohen vlerësimet për ecurinë e ekonomisë shqiptare. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar  në ulje nivelin e tkurrjes së ekonomisë shqiptare në nivelin 7.5%. Ky është një vlerësim më negativ se ai i bërë nga qeveria  shqiptare që pret  një rënie  me 5%. Ndikimin kryesor e ka dhënë  turizmi por edhe remitancat që sjellin emigrantët në Shqipëri.

Nisur nga kjo bëhet apel që të rritet mbështetja për njerëzit dhe për bizneset e cënuara nga këto kriza. Në raport ngrihet shqetësim sidomos niveli i borxhit publik që parashikohet të tejkalojë nivelin e 80%.

Gjithashtu Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeron Shqipërisë që të përgatisë masa rezervë në rast të një pandemie më të rëndë gjatë vjeshtës.

Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të  emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020. Defiҫiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 përqind të PBB-së dhe borxhi  publik pak mbi 80 përqind të  PBB-së deri në fund të vitit 2020”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kundërshtuar nismën e qeverisë për të amnistinë fiskale dhe penale e cila  parashikohej të niste diskutimet në  komisione në muajin  shtator.

Sipas FMN një nismë e tillë do të rriste mundësitë e pastrimit të parave të pista  në vend.

Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie fiskale të mundshme, duke marrë për  bazë shqetësimet lidhur me ndikimin që ajo ka mbi zbatueshmërinë e detyrimeve tatimore si edhe me rrisqet e lidhura me pastrimin e parave dhe me qeverisjen.

Kujdes kërkohet edhe në mbledhjen e të ardhurave tatimore ndërsa sistemi tatimor  cilësohet i komplikuar. FMN i kërkon administratës shqiptare që pas stabilizimit të ekonomisë të  rishikojë sistemin tatimor në vend për të luftuar informalitetin.

“Një sistem tatimor më i drejtë, më i thjeshtë, më efikas dhe më transparent mund ta fuqizojë mobilizimin e të ardhurave buxhetore, duke përmirësuar klimën e investimeve dhe duke ulur informalitetin”.

FMN ka përsëritur edhe njëherë kërkesën për të bërë kujdes me projektet e Partneritetit Publik –Privat sidomos ato me ofertë të pa kërkuar pasi krijojnë rreziqe për financat shqiptare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!