Socialistët njoftuan se nesër nuk do të ketë diskutim dhe miratim nen për nen të propozimit që paraqiti PS-ja për Kodin Zgjedhor, listat dhe koalicionet dhe si rrjedhojë nuk do të futet as në rendin e ditës në seancën e së enjtes për t’u votuar duke u tërhequr nga vendosmëria për ta miratuar në 1 Tetor.
Tërheqja duket se ishte një lëvizje pas thirrjeve të SHBA-BE-së për dialog mes palëve në Këshillin Politik, teksa edhe opozita paraqiti një draft mbrëmjen e djeshme. Por si e komenton Vasilika Hysi?
E ftuar në studion e Abc News përballë gazetarit Endri Xhafo, Hysi rrëfeu se përse u vendos që të shtyhet diskutimi nen për nen dhe rrjedhimisht përfshirja në rendin e ditës së seancës së të enjtes. “Sot në komisionin e Ligjeve ramë dakord që grupi i punës i ngritur me përfaqësues të shumicës dhe pakicës, të ulen dhe të përgatisin në një draft të gjitha propozimet e ardhura për dy projektligjet për të pasur një dokument pune sa më shumë të dakordësuar dhe të qartë edhe për anëtarët e komisionit.
Komisioni do i japë të gjithë vëmendjen e duhur, grupi i punës po punon për të pasqyruar të gjitha amendamentet dhe sugjerimet që janë bërë. Le ta lëmë ditët në vijim se kur bëhet gati drafti i dakordësuar” tha ajo.
E pyetur nëse shtyrja nga kalimi nen për nen dhe votimi në Kuvend të enjten bëhet pas draftit që dorëzoi opozita për listat dhe koalicionet, Hysi tha se nuk ka dijeni për propozimin e PD-LSI-së.
“Në dijeninë time nuk kemi marrë ndonjë dokument të opozitës jashtë parlamentit. Kuvendi operon me procedurën dhe rregulloren e tij. Ne kemi një nismë të Murrizit, Ralf Gjonit, amendamente nga zonja Bushka dhe Gjiknuri dhe deputeti Andi Përmeti.
Prandaj vendosëm që të kemi një tekst integral dhe për të adresuar një për një të gjitha ato çështje që lindin nga ndryshimi që është bërë në Kushtetutë. Pasi ka edhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen me financimin e partive, etj. Sa i përket opozitës jashtë parlamentare, ka nxjerrë një mësim që nuk mund të braktisen institucionet, zgjedhësit”.
Por a do të jetë e nevojshme një tjetër mbledhje e këshillit politik për të arritur konsensusin? “Opozita jashtë parlamentit ka pasur të gjithë kohën dhe mundësinë për të shprehur opsionet e saj. Besoj se çështja e ndryshimeve kushtetuese nuk është çështje që diskohet sot, është miratuar kohë më parë dhe nga ndryshimet kushtetuese kanë buruar disa detyrime për Kuvendin, i cili dikton edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor” përfundoi Hysi. db/Abcnews.al