Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca i bëri thirrje, palëve që të diskutojnë së bashku për çdo ndryshim që kërkojnë të bëjnë në Kodin Zgjedhor.
Ambasadori po ashtu rikujtoi partitë politike se duhet t’i përmbahen marrëveshjes së nënshkruar në 5 qershor.
Përmes një postimi në Twitter, Soreca shprehet:
“Ne [BE] përsërisim qëndrimin tonë që marrëveshja e 5 qershorit, e bazuar në rekomandimet e OSBE / ODHIR mbi reformën zgjedhore, duhet të respektohet.
Po ashtu theksojmë rëndësinë që çdo propozim për ndryshime të mëtejshme në nenet e Kodit Zgjedhor, të cilat shkojnë përtej qëllimit të marrëveshjes së 5 qershorit, të diskutohen siç duhet në kuadrin e Këshillit Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse para se të votohet në Parlament.”
Më herët të hënën, dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim i bëri thirrje partive që t’i përmbahen marrëveshjes së 5 qershorit, duke shtuar se palët që e kanë nënshkruar janë përgjegjës për zbatimin e saj.
N.D./abcnews.al