Zemaj zbulon shifrat: 645 testime, vetëm 48 pozitivë në Kosovë

schedule14:49 - 28 Shtator, 2020

schedule 14:49 - 28 Shtator, 2020

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj përmes një postimi në Facebook ka treguar se nga 645 testime që janë kryer në 24 orët e fundit, 48 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.

Ndërsa ka bërë të ditur po ashtu se ka zhvilluar një takim me Komitetin për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës lidhur me Covid-19, ku kanë diskutuar për situatën epidemiologjike në vend si dhe për përgjegjësitë që duhet t’i kenë secili në dikasterët në mënyrë që edhe tash pas lirimit të masave, situata me Covid 19 të jetë e menaxhueshme.

 E plotë:

Në takimin e sotëm të Komitetit për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës lidhur me Covid-19, diskutuam për situatën epidemiologjike në vend si dhe për përgjegjësitë që duhet t’i kemi secili në dikasterët në mënyrë që edhe tash pas lirimit të masave, situata me Covid 19 të jetë e menaxhueshme.

Edhe sot kemi situat të kënaqshme sa i përket lakores së infeksionit, brenda 24 orëve nga 645 testime sa janë bërë, 48 kanë rezultuar pozitiv me Covid 19.

Ligji për Parandalimin e përhapjes së Covid-19, i ka dhënë MSh-së më shumë kompetenca për të ushtruar rolin e saj prej lideri në menaxhimin e pandemisë Covid-19, por u ka dhënë edhe ministrive dhe agjensive të tjera përgjegjësi për ta zbatuar këtë ligj.

Andaj, secili të jemi të përgjegjshëm aty ku jemi të ngarkur dhe assesi nga neglizhenca e ndonjërës hallkë të dështojë gjithë kjo punë e madhe që është bërë, sepse është parë që vetëm së bashku mund ta fitojmë luftën kundër pandemisë.

Nga ky takim, ju bëj thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të zbatojnë më përgjegjësinë më të lartë masat mbrojtëse duke bartur maskën, ruajtur distancën dhe higjienën, sepse vetëm kështu mund t’ia dalim së bashku.

Respektimi i ligjit duhet të vlej për të gjithë.

Policia, inspektoratet dhe secili institucion duhet të bëj punën e vet. Asnjë organ i drejtësisë, me ligjin e ri, nuk ka më hapësirë për të kërkuar arsye amnistimi dikë që shkel rregullat.

Për këtë qëllim, do të shtojmë numrin e inspektorëve për 75, që bashkë me Policinë e Kosovës do të ndihmojnë në zbatimin e masave të reja.

Në takimin e radhës, pres rezultate nga secili resor që përfaqësohet në këshill dhe të tjerët, për të mbajtur nivelin sa më të ultë të rasteve pozitive dhe për të ulur në minimum vdekshmërinë.

Bashkë ia dalim!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!