Policia e Rinasit ka arrestuar dy persona me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri.
Bëhet fjalë për një 22 vjeçar nga Tirana, i cili i ka shitur kartën e identitetit greke me të dhënat e tij një 33-vjeçari, i cili më pas ka tentuar të udhëtojë jashtë shtetit.
Policia thotë se verifikimi i dokumenteve false është bërë i mundur falë edhe një aparature që ia ka dhuruar ambasada gjermane ndërsa raporton se gjatë muajit shtator “janë evidentuar dhe goditur edhe 12 raste të tjera, konkretisht 7 raste për falsifikim të pasaportave dhe letërnjoftimeve, 3 raste për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm dhe 2 raste për mosdeklarim të vlerave monetare”.
Njoftimi i policisë:
Intensifikohen kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Evidentohen dy raste të tentativës për kalim të kufirit me dokumente të falsifikuara.
Gjatë muajit shtator, nga Policia Kufitare e Rinasit janë evidentuar dhe goditur edhe 12 raste të tjera, konkretisht 7 raste për falsifikim të pasaportave dhe letërnjoftimeve, 3 raste për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm dhe 2 raste për mosdeklarim të vlerave monetare.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në kuadër të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve të specializuara, duke përdorur edhe aparaturën e re të dhuruar nga ambasada gjermane, për identifikimin e dokumenteve të falsifikuara, kanë evidentuar dhe goditur dy raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë vënë në pranga shtetasin I. N., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i pasaportave ose vizave” dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe GJ. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.
Shtetasi I. N. i ka shitur një kartë identiteti greke me të dhënat e tij, shtetasit GJ. P., i cili ka tentuar të udhëtojë për në Angli.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
N.D./abcnews.al