Pasi siguroi një pjesë bujare të fondeve të rimëkëmbjes nga Bashkimi Europian për krizën e koronavirusit, Spanja po përballet me një problem të pazakontë- si t’i shpenzojë të gjitha paratë, sipas burimeve qeveritare për Reuters.
“Kjo nuk është një krizë parash, është një krizë idesh,” tha një prej burimeve, duke iu referuar projekteve konkrete të investimeve për të ndihmuar ekonominë. Në një vend që nuk ka arritur të miratojë një buxhet të plotë që nga viti 2016 për shkak të një paralize të zgjatur politike, nevoja për të marrë papritur para shtesë është një sfidë, transmeton abcnews.al
Spanja është një nga vendet më të prekura nga pandemia. Ajo ka regjistruar më shumë se 640,000 raste, numri më i lartë në Europën Perëndimore dhe ka regjistruar më shumë se 30,000 viktima.
Ekonomia u tkurr me 18.5% në tremujorin e dytë. Për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të Spanjës, BE ka akorduar rreth 140 miliardë euro (166 miliardë dollarë) në grante dhe kredi. Kjo përfshin 43 miliardë euro në grante vetëm në dy vitet e ardhshme – ekuivalente me rreth 8% të shpenzimeve vjetore.
“Shpenzimi i parave nuk është i lehtë”, tha një burim i qeverisë. Një burim i menaxhimit të fondeve tha se projektet kryesore ishin caktuar tashmë dhe se Spanja sigurisht do të respektonte afatet dhe kërkesat e vendosura nga Brukseli, transmeton abcnews.al
Zyra e Sanchez do të mbikëqyrë shpërndarjen e fondeve
Komisioni Europian ka rekomanduar qeveritë e BE-së të shpenzojnë para nga paketa e rimëkëmbjes për mjedisin, transportin dhe investimet në digjitalizim. Kryeministri Pedro Sanchez, ka vendosur që zyra e tij do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të planit të rimëkëmbjes, me një grup këshillues të përbërë nga drejtues të korporatave. Ministrja e Ekonomisë Nadia Calvino është pjesë e planit të rimëkëmbjes ndërsa nga ana tjetër është duke përfunduar një plan për reformat që do të prezantohen në Bruksel deri më 15 tetor, transmeton abcnews.al
Përveç fondeve të rimëkëmbjes, Brukseli ka miratuar një hua prej 21 miliardë eurosh për Spanjën për të financuar programet e punësimit, të cilat pritet të lehtësojnë presionin mbi buxhetin e shtetit. Një burim pranë ministrisë tha se të ardhurat kohët e fundit ishin më të mira se sa pritej.
Por të mërkurën banka qendrore ndryshoi parashikimin e saj për vitin 2021 nga 4.1% në 7.3%.
Ekonomisti i saj, Oscar Arce, tha se sipas skenarit më të mirë, fondet e BE-së mund të rrisin PBB-në afatmesme por suksesi do të varet nga zgjedhja e projekteve të duhura të investimeve. s.ba/abcnews.al