Karteli shqiptar kokainë me logon “BELLO” mbi paketim, mediat: Rexhepi, lider i padiskutueshëm

schedule16:52 - 18 Shtator, 2020

schedule 16:52 - 18 Shtator, 2020

Autoritetet italiane në bashkëpunim me 9 shtete të tjera, mes të cilave edhe Shqipëria dje shkatërruan kartelin shqiptar të kokainës që kontrollonte të gjithë zinxhirin e trafikut nga Amerika Latine duke çuar pas hekurave 30 persona. Mes të arrestuarve 10 janë shqiptarë, ndërsa disa janë ende në kërkim, sipas medieve italiane.

Në 5 vite hetime autoritetet italiane kishin arritur që të sekuestronin sasi të konsiderueshme kokaine të fshehura në kroskot dhe pjesë të ndryshme të makinave. Mediat italiane shkruajnë se kokaina e këtij grupi kishte logon e saj të padiskutueshme “BELLO”, të shtypur mbi paketimet e saj.

Karteli shqiptar njihej me emrin “KOMPANIA BELLO”, e cila importonte nga Amerika e Jugut, sasi shumë të mëdha kokaine, dhe që financoheshin nga grupe të rëndësishme trafikantësh droge që vepronin në të gjithë Europën. “KOMPANIA BELLO”, bazonte organizimin njësoj dhe paralelisht me “kartelet” e Amerikës së Jugut, dhe menaxhonte prej vitesh një pjesë të konsiderueshme të trafikut të kokainës në Europë, por dhe në kontinent, dhe është e padiskutueshme pika e referimit për grupet shqiptare të specializuara në trafikun e drogës.

Nga hetimet janë zbuluar dhe dinamikat kriminale të bashkëpunimit dhe të degëve të grupit që përvec se në Itali dhe Holandë, kishin mbërritur dhe në Ekuador, Austri, Zvicër, Francë, Norvegji, Turqi, Gjermani dhe Belgjikë, duke pasur në dispozicion shuma të mëdha parash, dhe logjistikën e duhur. “Lideri i padiskutueshëm i kartelit ishte Dritan Rexhepi, që ndodhet në qeli në Ekuador” shkruajnë mediat italiane. db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!