Dhuna në familje por edhe abuzimet seksuale po kthehen gjithmonë e më shumë në një fenomen shqetësues. Kjo edhe për faktin se duke marrë shkas nga njëri-tjetri viktimat e dhunës dhe abuzimeve po i drejtohen komisariateve për të denoncuar autorët.
Kështu e shpjegon psikologia Valbona Treska këtë fenomen. Por gjithsesi, ajo shprehet se nuk duhen përdorur këto raste nga media, sepse nga njëra anë sensibilizojnë të tjerët por nga ana tjetër shkaktojnë traumë te personat e dhunuar. Sipas saj, të dy palët kanë nevojë për trajtim psikologjik, në këtë rast edhe dhunuesi i cili ka nevojë të vendosë balancat.
Treska shprehet se është e nevojshme mbrojtja e viktimave që denoncojnë dhunën, të cilët pas kësaj kthehen sërish në banesë me dhunuesin.
“Vlerësoj çfarë është problematike, mbrojtjen e personit që denoncon. Gratë kthehen në banesë pas denoncimit dhe qëndrojnë me dhunuesin në banesë. Dhuna në familje krijon ngarkesë të fortë në familje. Këto raste nuk trajtohen në vazhdimësi. Media luan një rol kryesor por duhet kujdes për publikimin e detajeve për viktimat e dhunës. Duhet të jemi të kujdesshëm për të mbrojtur këto viktima.
Ata mund të identifikohen edhe nga të dhëna të tjera. Nuk ka nevojë vetëm të thuhet vetëm me emër dhe mbiemër. Dhe në këto raste ata mund ta kenë për traumë për gjithë jetën. Nuk pse identifikon viktimën, ndonjëherë edhe vetë vendin sepse në zona me pak banorë është lehtësisht e kuptueshme se për kë bëhet fjalë. Dhunuesi duhet të marrë trajtim psikologjik që të vendosë balancat. Edhe dhunues ka nevojë për ndihmë”, thotë Valbona Treska./m.v. abcnews.al