50 mijë persona dolën të papunë në 6-mujorin e parë, por papunësia nuk u rrit?

schedule08:00 - 14 Shtator, 2020

schedule 08:00 - 14 Shtator, 2020

Numri i të punësuarve në vend në fund të 6-mujorit të parë 2020 ra me 50 mijë persona në raport me fundin e 2019-s, sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës së INSTAT, me një tkurrje prej 4%, në krahasim me dhjetorin.

Kjo është tkurrja më e madhe e numrit të të punësuarve në 6-mujorin e parë, të paktën që prej pjesës së parë në 2017-n, kur raportohen të dhënat e Anketës së Forcave të Punës. Në të njëjtën periudhë të 2019-s, kur ishte një kohë normale, tregut të punës iu shtuan 33 mijë persona. Ndërsa këtë vit, pandemia e Covid-19 ka reduktuar ndjeshëm numrin e të punësuarve.

Edhe nga të dhënat administrative (që masin numrin e të punësuarve që paguajnë sigurime, ndërsa bujqësia sipas anketës) rezulton se në 6 muajt e parë kanë dalë nga tregu i punës rreth 49 mijë persona, duke pasur një rezultat të ngjashëm.

Por, ndonëse rreth 4% e të punësuarve ka dalë nga tregu i punës, papunësia shënoi një rritje fare të lehtë sipas INSTAT, duke arritur në 11.9% në fund të tremujorit të dytë nga 11,2% në dhjetor 2019.

Ndonëse 50 mijë persona u larguan nga puna, numri i të papunëve u rrit vetëm me 6 mijë persona, sipas tabelave të INSTAT.

Nga të dhënat rezulton se INSTAT i ka raportuar pjesën më të madhe të atyre që kanë dalë nga tregu i punës jo si të papunë, por si joaktivë. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i personave joaktivë është rritur me 42 mijë persona në 6-mujorin e parë sipas grafikut të mëposhtëm, duke arritur në 976 mijë persona gjithsej.

Kjo kategori që cilësohet inaktive nuk përfshihet në forcën e punës. Popullsia jo-ekonomikisht aktive përfshin të gjithë personat të cilët nuk janë klasifikuar si të punësuar ose të papunë (pra, nxënës/studentë, shtëpiakë, në pension, të paaftë, të papunë të dekurajuar, pra që nuk duan të punojnë).

Duke i kanalizuar të papunët si inaktivë, treguesi i papunësisë nuk ka reflektuar ndryshim të madh nga kriza, përderisa numri i tyre është rritur vetëm me 6 mije persona në periudhën referuese.

Si rrjedhojë e shtimit të inaktivëve (personat që nuk duan të punojnë) është reduktuar dhe forca e punës me rreth 43 mijë persona, duke zbritur në 1.32 milionë persona, pasi inaktivët nuk llogariten në forcën e aftë për punë (shih graf).

Sipas përllogaritjeve të Monitor, nëse personat që kanë dalë nga tregu i punës do të ishin shtuar të gjithë tek numri i të papunëve, atëherë norma e papunësisë reale në vend (që llogaritet si përqindje e të papunëve ndaj forcës së aftë për punë) do të ishte rritur në gati 15%, nga 11.9% që u raportua nga të dhënat zyrtare.

Të dhënat administrative

Sipas të dhënave administrative, në fund të qershorit, në vend kishte gjithsej 1.1 milionë të punësuar, nga 1.15 milionë në fund të tremujorit të katërt 2019.

Rënia më e fortë ka qenë në sektorin privat jo bujqësor, ku u regjistruan gati 30 mijë të punësuar më pak se në fund të 2019-s, me një tkurrje prej 6%. Ky është numri më i ulët i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, që nga tremujori i tretë i vitit 2017. Ndonëse qeveria mori masa për mbështetjen e bizneseve që u ndaluan të punonin dhe atyre që nuk kishin mundësi të punonin, përmes dy paketave mbështetëse, kjo sërish nuk e ka ndaluar hemorragjinë e të punësuarve./Monitor