Trashi: U dëmtova në kavilje, shpresoj të kem kënaqur trajnerin Reja

schedule22:54 - 4 Shtator, 2020

schedule 22:54 - 4 Shtator, 2020

Lorenc Trashi e nisi si titullar ndeshjen ndaj Bjellorusisë në Nations League, takim që u fitua 0-2 nga kuqezinjtë. Anësori i majtë luajti një ndeshje pozitive, por u detyrua t’i linte vendin Odise Roshit në mesin e pjesës së dytë për shkak të një dëmtimi.

Në një prononcim për RTSH, Trashi analizon ndeshjen, flet për fitoren dhe tregon gjendjen e tij fizike. “Kam marrë një goditje në kavilje, nuk po ndihesha mirë. 2-3 herë tentova të vijoja lojën, por nuk ia dola. Mendova që më mirë të zëvendësohesha pas konsultimit që bëra me stafin.

Kam kohë pa aktivitet, për ndeshje zyrtare e kam fjalën pasi jemi stërvitur sipas programit të stafit teknik. E përballuam me sukses, u mundova të zbatoj detyrat e trajnerit. Më bëhet qejfi që gjithçka shkoi në favorin tonë.

Nisja si titullar? Trajneri dhe stafi e vendosin një ditë para zakonisht, por edhe në mëngjesin e ditës së ndeshjes. E mësova në stërvitjen e mëngjesit që do të isha titullar. Edhe e prisja edhe nuk e prisja, por në futboll duhet të jesh gati gjithmonë.

Nuk mund të them që nuk ka konkurrencë, mund të luajë Hysaj, Roshi, ka plot alternativa në kraun e majtë. Shpresoj të kem bërë detyrat e mia aq mirë sa ka dashur trajneri. Jemi të lodhur të gjithë, por ndihem më mirë tani. Shpresoj të jem gati për Lituaninë dhe gjithçka të shkojë mirë në atë ndeshje“, thekson Trashi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!