Përfundon intervistimi i Ahmetit nga prokurorët e Speciales: Për momentin nuk jap dot detaje

schedule18:08 - 3 Shtator, 2020

schedule 18:08 - 3 Shtator, 2020

Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, është intervistuar nga prokurorët e specializuar të Gjykatës Speciale.

Pas intervistimit në cilësinë e dëshmitarit, Ahmeti tha se nuk e ka të lejuar të jap detaje rreth procesit.

“Deri në përfundim të këtij procesi, nuk mund të ndaj asnjë informacion me opinionin sepse kështu e përcakton ligji dhe dua që ta respektoj ligjin. Në përfundim të këtij procesi, atëherë mund të flasim. Sot ka marrë fund procesi i intervistimit tim. Kam qenë në cilësi të dëshmitarit”, tha Ahmeti para gazetarëve.

I pyetur se cili është mendimi i tij për këtë gjykatë, Ahmeti tha shkurt se “është vendim i Kuvendit të Kosovës dhe ky vendim është ekzekutuar”.

Intervistimi i sotëm  i Ahmetit ka qenë vazhdimësi e intervistimit të ditës së djeshme që zgjati rreth 8 orë. Ahmeti ka qenë një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Që nga viti 2019 qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Për formimin e kësaj gjykate u deshën edhe ndryshime kushtetuese, që u miratuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. /REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!