Qeveria gjermane njoftoi ditën e sotme se lideri i opozitës ruse Alexei Navalny është helmuar me Novichok, një agjent nervor.
Pas kësaj ka reaguar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel e cila cilësuar lajmin si shokues ndërsa ka kërkuar edhe përgjigje nga qeveria ruse.
Në reagimin e saj, Merkel shkruan:
“Është një informacion shokues helmimi i tij. Kjo tregon se Alexei Navalny është viktimë e një krimi. Ishte një përpjekje për ta bërë atë të heshtë. Unë e dënoj me forcë këtë veprim në emër të qeverisë gjermane. Ka shumë pyetje serioze të cilave tashmë vetëm qeveria ruse mund t’u përgjigjet dhe duhet t’u përgjigjet”, tha Merkel.”
Lidhur me lajmin e helmimit të Navalny ka reaguar edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Në një postim në Twitter, ajo shkruan:
“U informova nga Kancelarja Merkel se lideri rus i opozitës Navalny u sulmua me një agjent nervor, në vendin e tij. Ky është një akt i neveritshëm dhe frikacak, edhe një herë. Autorët e krimit duhet të sillen para drejtësisë.”
Navalny një prej kritikëve më të mëdhenj të presidentit rus, Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht teksa po udhëtonte me një aeroplan nga Siberia drejt Moskës.
Avioni i tij bëri ulje emergjente dhe Navalny u dërgua menjëherë në spital. Pas disa ditësh ai u dërgua në një spital në Berlin, ku mjekët thanë se ai ishte helmuar.
Steffen Seibert, zëdhënësi i kancelares Merkel tha të mërkurën se testimet e kryera në spitalin ushtarak gjerman kanë treguar shenja “të një agjenti nervor nga grupi Noviçok”. S.B /abcnews.al/