“Kërkoj të shpall Libanin një shtet laik”. Është kjo deklarata e presidentit të vendit Michel Aoun, gjatë fjalës së tij të transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në televizion në prag të 100 vjetorit të krijimit të shtetit Libanit.
Ai u shpreh se është i domosdoshëm një ndryshim sistemi pas shpërthimit të fuqishëm në portin e Bejrutit në fillim të muajit gusht dhe pas muajsh krize ekonomike që e kanë zhytur vendin në varfëri të thellë.
Presidenti theksoi se vetëm një shtet laik mund të jetë në gjendje të mbrojë pluralizmin, ta ruajë duke e transformuar në një bashkim real. Ai premtoi se do të krijonte kushtet për zhvillimin e dialogut mes autoriteteve fetare dhe liderëve politikë për të mbërritur në një formulë të pranueshme për të gjithë dhe që mund të aplikohet me ndryshimet e duhura kushtetuese.
Ndërkohë Hezbollah u shpreh i gatshëm për të diskutuar për një marrëveshje të re politike në vend të propozuar nga Franca. Lideri i lëvizjes iraniane konfirmoi gatishmërinë duke shtuar se ishin të hapur për çdo diskutim por me kusht që një gjë e tillë të ketë mbështetjen e të gjithë popullit libanez./abcnews.al