Partia Demokratike deklaroi se publikimi i disa bisedave të tjera të anëtarit të bandës së Avdylajve konfirmon “mashtrimin elektoral të organizuar nga Edi Rama, që i dha atij të paktën 10-15 deputetë pa vullnetin e qytetarëve”.
Në një deklaratë zyrtare, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi pohoi se në një fshat të Shijakut kutitë mbusheshin me fletë të papërdorura, fakt sipas tij i dalë nga bisedat e publikuara.
“Vetëm në 1 qendër votimi, në një fshat të Shijakut, janë vulosur dhe janë futur në kuti 25 fletë votimi të papërdorura. Siç thotë vartësi i Niçes, “aq tepruan”, se fitorja e Edi Ramës do të kishte qenë edhe më e thellë”, shkruan Bardhi ndërsa publikon një bisedë të re nga “dosja 339”.
Biseda:
Armelin Zeza: I myllim, i myllim i futëm në fund të votimit 25 fletë, ca tepruan, janë vulos.
Altin Avdy;li: A jena mirë, ja q…r..ajo.
Armelin Zeza: Mos e rruj k…, këtu në Rubejk jena tullë fare, i futëm 25 copë, i vulosëm shpejt e shpejt e i futëm në kuti.
Altin Avdyli: Hajde, i madh je…
Bardhi përfundoi deklaratën duke pohuar se këto fakte të publikuara deri më tani janë vetëm maja e ajsbergut, e sipas tij kjo provon se Edi Rama është organizatori dhe përfituesi i një skeme kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017./abcnews.al