Indrit Bajraktari, 25-vjeçari që drejtonte motorin e ujit nga ku ra vajza 17-vjeçare që u gjet e mbytur në Velipojë ka folur përpara policisë.
Sipas gazetarit Simon Shkreli ai ka deklaruar se e ka nxjerrë vajzën në breg dhe ia ka dorëzuar xhaxhait të saj.
Të njëjtën alibi, ai ka përdorur edhe ditën e djeshme kur është pyetur nga rojet e plazhit se ku ndodhej vajza, ndërkohë që ka vazhduar të bëjë xhiro edhe pas zhdukjes së saj.
Por deklarata e tij hidhet poshtë nga uniformat blu të cilat kanë raportuar se vajza është gjetur e mbytur rreth 800 metra larg bregut. Mësohet se trupi i vajzës është gjetur nga peshkatarët të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë.
Bajraktari është parë nga pushuesit dhe operatorët e plazhit që i kanë dhënë motorin e ujit me qira, të dalë nga deti i vetëm nga deti.
Burime bëjnë me dije për abcnews.al se sipas ekspertizës vajza ka pësuar goditje në trup, që i janë shkaktuar nga përplasja e motorit të ujit.
17-vjeçarja nga Burreli që jetonte në Bathore kishte ardhur me pushime në Velipojë bashkë me familjen e saj.
Ndërsa 25-vjeçari nga Postriba ishte emigrant në Londër dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime.
Vajza dhe djali nuk kishin njohje të mëparshme dhe dyshohet se janë njohur gjatë pushimeve në Velipojë me anë të rrjetit social Facebook./abcnews.al