Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shfaqur edhe një herë pesimizmin e tij lidhur me përfaqësimin e Kosovës në dialog me Serbinë nga kryeministri Avdullah Hoti.
Në një intervistë dhënë Evropës së Lirë, Haradinaj ka thënë se e ka këshilluar Hotin që ta kërkojë Uashingtonin në tavolinën e bisedimeve, ndërsa ka shtuar se AAK-ja është e shqetësuar për përgatitjet, temat dhe formatin e takimeve në dialogun Kosovë – Serbi.
“Unë kam kërkuar nga kryeministri (Avdullah Hoti) të bëjë hapa prapa në këtë agjendën e deleguar të dialogut te zoti Borrell dhe zoti Lajçak dhe ta kërkojë Uashingtonin. Pra, ishte një lajm jashtëzakonisht i mirëpritur nga unë rikthimi i Uashingtonit, takimi i 2 shtatorit. Mirëpo, ne e kemi një shqetësim për përgatitjet që duhet t’i bëjmë. Pra temat, identifikimin e temave, identifikimin e materies për të cilën mund të themi po, por pastaj edhe formati i takimeve”.
“Nuk është rastësi që AAK-ja dëshiron të garantohet se është e sigurt – po e quaj ashtu – për çdo sekuencë të bisedave sepse duam të dimë a e kemi nxjerrë më të mirën për Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.
Më tej, ai ka përmendur edhe rastin e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, i cili tha se ishte ndier i përjashtuar në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Pse duhet çdoherë t’i besojmë dikujt tjetër nëse mundemi edhe vetë të ndihmojmë. Ishte rasti i takimit me (presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Jam habitur nga vendimi – edhe pse ai është në diskrecion të kryeministrit – i kryeministrit, që të lë jashtë takimit ministrin e Drejtësisë, Selim Selimin, i cili ka dhënë betimin në parlament si ministër, i cili në të kaluarën ka qenë i ngarkuar në dialog – pra, ka vetëdije, ka memorie institucionale –dhe e ka marrë një person që sapo ka filluar punë, shefen e stafit të vetë. Pra, do të jenë disa arsye që duhet t’i trajtojmë me kujdes”, është shprehur Haradinaj.
Ndër tjerash, ish-kryeministri e ka përmendur edhe deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, që ka dalë hapur pro shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
“Pastaj, e dëgjojmë nënkryetarin e parë ose të dytin të LDK-së, zotin (Lutfi) Haziri kur flet hapur e publikisht se duhet ta japim Leposaviqin e 18 fshatra. Duke qenë kështu, për ne nuk është më interes t’i japim legjitimitet një qeverie dhe institucioneve të vendit vetëm pse kemi pak pushtet dhe nuk kemi vendimmarrje, e ne pastaj të bëhemi pjesëmarrës të vendimeve të këtyre forcave politike – me respekt për shumicën prej tyre – por, që kanë dhënë prova paqëndrueshmërie në tema të interesit nacional”, ka deklaruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka theksuar se më 2 shtator në Uashington Kosova do të shkojë për marrëveshjen finale me Serbinë që garanton njohje reciproke.