Filip Gligorov ishte pjesë e Vllaznisë sezonin e kaluar dhe tani ka vendosur të rikthehet sërish në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Mbrojtësi i djathtë ka zgjedhur të vazhdojë karrierën te Shkupi, aty ku u aktivizua edhe në periudhën gusht 2016 – janar 2017.
27-vjeçari, i cili zbriti në fushë 26 herë me Vllazninë, ka thënë fjalët e para pas firmosjes së kontratës me ekipin shqiptar. “Jam rikthyer te Shkupi pas katër viteve, kam folur me kryesinë e klubit dhe më ka pëlqyer projekti që po e bëjnë, duke formuar një skuadër të mirë që do të luftojë për titull.
Më tërhoqi gjithashtu edhe ajo se do të luajmë në Ligën e Evropës ndaj Neftchit, dhe do të doja që ta kalojmë raundin e parë. Do të jap maksimumin nga vetja që të zë vend në formacion, pasi shoh se ka një konkurrencë të madhe”, deklaron Gligorov. /abcnews.al