Policia e Librazhdit ka ndaluar një 43-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim një 41-vjeçar, të cilët po tentonin të transportonin lëndë narkotike.
Mësohet se dy shtetasve i janë sekuestruar rreth 32 kg e llojit kanabis, teksa me makinë do e dërgonin drejt Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kufirit jeshil.
Sakaq, drejtuesi i makinës shtetasi L.A, nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Ndërkohë, po vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale si dhe po punohet intesivisht për kapjen e këtij shtetasi.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Dragostunja”.
Operacioni për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Ndalohet 43-vjeçari dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Sekuestrohen rreth 32 kg lëndë narkotike e llojit kanabis dhe automjeti me të cilin transportonin lëndën narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në bashkëpunim me Sektorin e Shërbimeve të Specializuara në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Librazhd pas një pune të mirëorganizuar dhe profesionale finalizuan operacionin policor të koduar “Dragostunja”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasit:
L.N., 43 vjeç, banues në fshatin Pishkash Veri, Përrenjas, si dhe është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit L.A., 41 vjeç, banues në fshatin Vërri, Pogradec.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elabasan kanë marrë informacion në rrugë operative se dy shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin po udhëtonin nga Librazhdi në drejtim të Prrenjasit dhe dyshohej se me automjetin e tyre transportonin lëndë narkotike të llojit kanabis të cilën do ta tranportonin në Republikën e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet kufirit jeshil.
Mbi bazën e këtyre informacioneve është organizuar dhe zhvilluar operacioni policor i koduar “Dragostunja”.
Drejtuesi i automjetit shtetasi L.A, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi duke kryer manovra të rrezikshme dhe ka rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.
Shërbimet e policisë kanë vijuar ndjekjen, ku drejtuesi i mjetit së bashku me pasagjerin kanë braktisur mjetin dhe kanë tentuar të marrin lëndën narkotike me vete dhe duke përfituar nga errësira janë larguar në pyll në zonën e fshatit Dragostunjë, ku dhe kanë braktisur edhe lëndën narkotike pasi po ndiqeshin nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit të territorit u gjet i braktisur automjeti si dhe sasia e lëndës narkotike e llojit kanabis, me peshë rreth 32 kg.
Pasagjeri shtetasi L.N., u kap në dalje të PKK Qafë-Thanë, në tentativë për t’u larguar në shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore./abcnews.al