Ligji që ndan vendin në 4 rajone ku synohet të ndiqen politika zhvillimore të unifikuara zbeh pushtetin dhe autonominë që duhet të ketë pushteti vendor, thotë kreu i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali.
“Ligji e zhvesh plotësisht nga fuqia autoritetin dhe institucionet kushtetuese siç janë këshillat e qarqeve, por nga ana tjetër edhe bashkitë sërish edhe me to mbivendoset. U ul peshën e vendimmarrjes”, shprehet ai.
Problematike sipas tij është kanalizimi i burimeve financiare tek një agjenci që është në varësi të qeverisë.
“100% çdo para, siç e thotë ligji do të shkojë në një institucion të vetëm që është Fondi i Zhvillimit Shqiptar që është agjencia qeveritare”, shprehet Haxhimali.
Ligji nuk i ka të parashikuara mbi ç’kritere do të bëhet ndarja e vendit në 4 rajone.
“Ne bëjmë ligjin, por cilët do jenë këto katër rajone. Mbi ç’kritere do të krijohen këto katër rajone? Si do të jetë emri i këtyre rajoneve”, thekson ai.
Sipas Haxhimalit ndarja nuk duhet ti lihet në dorë një institucioni. Ai propozon që këtë ta vendosin qytetarët.
“Do ishte idealja dhe për këtë rast mund të kishte edhe referendume lokale”, thotë ai.
Ligji “PËR ZHVILLIMIN RAJONAL DHE KOHEZIONIN” është miratuar në seancën n e fundit të sesionit parlamentar dhe së fundmi është kundërshtuar nga opozita jashtëparlamentare që e konsideron jo kushtetues. /abcnews.al