Zvonomir Boban u largua nga Milani për shkak të përplasjes që pati me drejtuesit. Shkak u bënë diskutimet me Ralf Rangnick dhe kroati nuk mund ta pranonte që ai dhe Paolo Maldini të anashkaloheshin për çështje teknike. Boban, në një intervistë të dhënë së fundmi për Gazzetta Dello Sport, thekson se edhe sot do të vepronte njëlloj.
“Do e bëja gjithçka, njëlloj. Nuk do të isha në gjendje ta shihja veten në pasqyrë nëse nuk do të bëja. Personalisht jam i lumtur që shumë nga vendimet e marrë kanë rezultuar të sakta, edhe pse u kontestuan. Tani të gjithë mund të shohin se zgjedhjet tona, të marra mes shumë vështirësish, nuk ishin të kota dhe tani janë ndërtuar bazat për një Milan të vërtetë.
Nuk janë të shumtë njerëzit që kanë durimin të presin ose ta kuptojnë që futbolli do kohë. Shpresoj që ata që janë ende duke punuar te Milani ta përfundojë punën e nisur dhe të respektojnë madhështinë dhe historinë e Milanit”, shprehet Boban mes të tjerash. Ai ka fjalë të mirë për trajnerin Pioli, ndërkohë që bën thirrje që edhe Maldini të mos largohet.
“Stefano është një person i mrekullueshëm dhe një trajner i shkëlqyer. Kam folur me të pasi nënshkroi kontratën dhe isha me të vërtetë shumë i lumtur për të. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer. Ai ishte zgjedhja jonë në një moment të vështirë dhe është diçka pozitive të shohësh se sa skuadra ka përparuar me të.
Më ka pëlqyer ta shoh Milanin këto kohë, pasi lojërat e tyre kanë qenë super. Si tifoz ëndërroj ta shoh Milanin aty ku jemi mësuar të gjithë, si fitues. Për të arritur në atë pikë duhet investuar. Gjithsesi themelet janë dhe mund të bëhen nga ekipet më të mira në Itali dhe Europë.
Maldini duhet të qëndrojë për një mijë arsye, por mbi të gjitha sepse ka treguar se është një drejtues i mirë. Nuk e shijuam për shumë kohë punën së bashku, por kurrsesi nuk duhet të largohet”, shprehet Boban, i cili në intervistën e dhënë për gazetën italiane ka folur edhe për tema të tjera dhe për Zlatan Ibrahimovic në veçanti.
“Pas verës së shkuar e thashë që kemi nevojë për dy lojtarë me eksperiencë. Me Ibrahimovic dhe Kjaer, si dhe me shpërthimin e Rebic, Milani u bë më i pjekur dhe vetëbesimi në skuadër u rrit. Për pasojë edhe lojtarët e tjerë u transformuan për mirë. Personalisht kisha kërkuar që në shkurt të rinovohej me Ibrën.
Kishim një marrëveshje zotërinjsh mes nesh: nëse nuk ishte në formë, do ta linte futbollin. Isha i sigurt që nuk do të kishte asnjë problem. Zlatan e di shumë mirë së çfarë është në gjendje të bëjë trupi i tij. Le të themi se atëherë thjesht nuk e zgjasnim dot kontratën. Ibra është gjeni, një forcë e natyrës dhe ende e bën diferencën. Është e rëndësishme që të qëndrojë në Milano të paktën edhe për një vit.
I gjithë ekipi u përmirësua me të përreth. Vetëm shikoni Rafael Leao, një talent i jashtëzakonshëm. Ai kishte nevojë për dikë që ta udhëzonte dhe më mirë se me Zlatan nuk mund të ketë. Kjo është arsyeja pse në gjithmonë duhet ta falënderojmë dhe respektojmë atë”, mbyll Boban. /abcnews.al