Rinovim i dyfishtë te Gjilani, sulmi i Gentian Mezanit nuk ndryshon

schedule18:36 - 5 Gusht, 2020

schedule 18:36 - 5 Gusht, 2020

Gjilani do të luajë në Europa League për herë të parë në histori dhe drejtuesit e nënkampionëve të Kosovës janë fokusuar te merkato. Pak ditë më parë “blinduan” portën me afrimin e Enea Koliçit nga Skënderbeu, teksa sot kanë rinovuar me dy prej lojtarëve kryesorë.

“Skifterat” kanë zgjatur bashkëpunimin me Gerhard Progrin dhe Fiton Hajdarin. I pari është një emër i njohur në futbollin shqiptar dhe verën e kaluar zgjodhi të transferohet në IPKO Superligë. 12 gola shënoi 33-vjeçari tropojan, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i ekipit të tij.

Gjilani ka vendosur t’i zgjasë kontratën sulmuesit me një tjetër vit dhe palët kanë rënë dakord. Një gol më pak se Progni shënoi Fiton Hajdari, i cili do të qëndrojë edhe dy vite të tjera tek ekipi i Gentian Mezanit.

28-vjeçari i krahut të majtë të sulmit, ka firmosur kontratën e re shpreson që sezonin e ardhshëm të fitojë titullin kampion. Gjilani u shpall sulmi më i mirë i kampionatit dardan me 61 gola të shënuar, dy më shumë se Ballkani dhe Prishtina.

Nën kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm janë edhe dy lojtarët e tjerë të repartit ofensiv: kroati Tomislav Busic dhe afrikani Keita Razak, kështu që Gjilani do të ketë të njëjtin sulm edhe për sezonin e ardhshëm. /abcnews.al