Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se autoritetet e Shqipërisë, e kanë liruar ish-luftëtarin e UÇK-së, Murtez Kastrati, i cili u ndalua nga policia, pas një kërkese që Serbia kishte dërguar në INTERPOL.
Stublla bën me dije se është njoftuar nga homologu i saj shqiptar, Gent Cakaj, se veterani i UÇK-së ishte liruar para dy orësh dhe se ai ishte ndaluar për verifikim.
LEXO EDHE: Pas një fletë-arresti në Interpol nga Serbia, policia shqiptare ndalon veteranin e UÇK-së
Sipas ministres Serbia po vazhdon me veprime ilegale ndaj Kosovës, ndërsa ka shtuar se Shqipëria do të përditësojë listat e dërguara nga Serbia, me qëllim, që sipas saj, ato të reflektojë realitetin politik e ligjor të Kosovës.
“Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan në Facebook, ministrja Haradinaj-Stublla./abcnews.al