Nesër pritet që Milani të luajë ndeshjen e fundit për këtë sezon në Seria A, ku kuqezinjtë do të presin në “San Siro” Cagliarin. Trajneri Pioli, në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë përpara takimit, shprehet i mërzitur se po vjen fundi i kampionatit.
Gjithashtu italiani shpreson që ekipi i tij të vazhdojë të luajë po më këtë marsh dhe në sezonin e ardhshëm. “Më vjen keq që kampionati po përfundon. Djemtë kanë dhënë gjithçka në fushë dhe sigurisht që dhe ata duhet të pushojnë.
Ka një harmoni të shkëlqyer mes nesh dhe dëshira për të bërë mirë është shumë e madhe. Jam i sigurt që dhe sezonin tjetër do ta fillojmë po me këtë atmosferë që po e mbyllim,” deklaron Pioli.
“Ne kemi krijuar një familje të bukur dhe darka e djeshme në Milanello e provoi këtë. Edhe pse ne kemi punuar shumë mirë ndeshjet e fundit, akoma kemi gjëra për të përmirësuar. Duhet të shikojmë drejt së ardhmes dhe Milani duhet të rikthehet aty ku i takon”, përfundon 54-vjeçari, i cili u konfirmua nga drejtuesit në stolin kuqezi dhe për sezonin e ardhshëm. /abcnews.al