Në konsullatën kineze të Hjuston, Teksas, ulin grilat dhe marrin kutitë me sendet e tyre personale të gjithë nëpunësit, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën për mbylljen e saj: dyshimet janë se ajo ishte kthyer në një qendër spiunazhi.
FBI ka arrestuar tre shtetas kinezë të akuzuar se kanë falsifikuar vizat për hyrjen në vend nga Kina dhe po hetohet për një të dyshuar të katërt kinez, një shkencëtare e re e cila aktualisht mendohet se është strehuar në konsullatën kineze në San Francisko.
Sipas departamentit amerikan të drejtësisë, katër shtetasit kinezë kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke gënjyer për kualifikimet e tyre si shkencëtarë, dhe se në të vërtetë janë pjesë e ushtrisë kombëtare kineze.
Sipas dokumenteve të depozituara pranë gjykatës së Kalifornisë, në 20 qershor FBI mori në pyetje Tang Juanm një shkencëtare në fushën e biologjisë në Universitetin e Kalifornisë. Ajo u akuzua gjashtë ditë më pas se ka kryer një mashtrim në procedurën për marrjen e vizës amerikane. Hetuesit mendojnë se gruaja ka gënjyer kur ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë pjesë e forcave të armatosura të vendit të saj.
Dhe në të kundërt janë zbuluar disa fotografi të shkencëtares në uniformë dhe është verifikuar se ajo ka punuar pranë universitetit të mjekësisë ushtarake të aeronautikës kineze. Gjatë marrjes në pyetje gruaja këmbënguli se veshja e uniformës është e detyrueshme për të frekuentuar universitetin në Kinë. Por pas kontrolleve në banesën e saj, të njëjtën ditë gjatë marrjes në pyteje, janë gjetur më shumë prova të lidhjeve së saj me ushtrinë popullore çlirimtare. Pas marrjes në pyetje Tang nuk gjendej më dhe mendohet se është fshehur në konsullatën kineze të San Franciskos.
Duke folur në Kaliforni, në bibliotekën presidenciale dedikuar Ricard Nikson, sekretari amerikan i shtetit Majk Pompeo sulmoi ashpër Kinën. Ai tha se Kina sot është gjithnjë e më shumë autoritare në atdhe dhe më agresive kundër lirive në çdo vend tjetër, dhe se presidenti Trump ka thënë se kësaj tiranie i duhet dhënë fund. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të injorojnë ndryshimet thelbësore, politike dhe ideologjike mes vendeve, njësoj si partia komuniste kineze nuk i ka injoruar asnjëherë.
Tensionet në rritje mes dy superfuqive vazhdojnë. Është që nga rilidhja e marrëdhënieve diplomatike me Kinën në vitin 1979 që Uashington nuk merrte masa kaq drastike si mbylljen e një konsullate. Në muajt e fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sanksionuar 11 shoqëri kineze që punojnë në SHBA për shkelje të të drejtave të njeriut në atdhe – kundër minoritetit musliman të Ujgurëve në Xinjiang – dhe mbi të gjitha fajësuan Kinën për përhapjen e koronavirus.
Dhe në sfond është gjithnjë përplasja tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit, e cila vijon të përshkallëzohet./abcnews.al