Mjeket në Francë mund të shkelin sekretin profesional për të denoncuar dhunën në familje

schedule22:46 - 22 Korrik, 2020

schedule 22:46 - 22 Korrik, 2020

Franca miratoi një projektligj të menduar për t’i dhënë më shumë mbrojtje viktimave të dhunës në familje.

Ligji i miratuar një javë më parë nga Asambleja kombëtare dhe të martën nga senati, i lejon mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë të shkelin sekretin profesional për t’i sinjalizuar policisë një rast të dyshimtë për dhunë në familje.

Sipas të dhënave të qeverisë, në vitin 2018 ishin 128 gratë dhe 21 burrat e vrarë nga partnerët apo ish partnerët në Francë.

Në të njëjtin vit 21 fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje.

Ndërsa në vitin 2019 numri i grave të vrara nga partnerët e tyre ishte 150.

Këtë vit janë 53 gratë e vrara nga partneri i tyre aktual apo ish.

Kjo është një çështje shumë e ndjekur nga mediat dhe politikanët në Francë.

Një vit më parë organizata jo qeveritare dhe aktivistë dhanë një alarm për të sinjalizuar rritjen e fenomenit, duke i kërkuar qeverisë që të përforcojë mbrojtjen e viktimave dhe dënime më të ashpra kundër fajtorëve.

Dhe këshilli i lartë për barazinë në vend u shpreh i alarmuar për numrin e femrave të vrara, në një kohë që rastet e dhunës në familje janë rritur me 30 për qind gjatë mbylljes dhe izolimit si pasojë e pandemisë së  Covid 19.

Ishte pikërisht situata e krijuar nga pandemia dhe masat e marra për të frenuar përhapjen e virusit që ushtruan më shumë presion ndaj qeverisë për të marrë masa më të forta.

Projektligji i miratuar shton dhe dënimin duke e çuar deri në 10 vjet burg për të gjithë ata të cilët brenda çiftit, me sjelljen e tyre shtyjnë partnerin tjetër që të vetëvritet apo të tentojë vetëvrasjen.

Parashikohet dhe mundësia që gjykatësit të ndalojnë keqtrajtuesit e dyshuar që të shohin fëmijët e tyre.

Ministri i ri i drejtësisë Erik Moreti, e mirëpriti miratimin e projektligjit.

Ai u shpreh se do të bënte të pamundurën që të hynte në fuqi sa më parë në mënyrë që të gjitha viktimat, e sidomos ato të dhunës në familje, mund të përfitojnë mbrojtjen më të mirë të mundshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!