Milan pritet të luajë mbrëmjen e nesërme kundiër Bolognas. Kuqezinjtë do të kërkojnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive. Ndeshja do të zhvillohet në ‘’San Siro’’ në orën 21:45. Trajneri Pioli në konferencën e zakonshme për shtyp kërkon kujdes në sfidën e nesërme dhe i kujton skuadrës se objektivi ende nuk është arritur. Gjithashtu ai deklaron se Ibrahimovic mund ta fillojë nga stoli takimin, për t’i dhënë kështu sulmuesit më shumë kohë për të pushuar.
”Lojtarët e dinë pozicionin se ku jemi në tabelë, si dhe e dinë shumë mirë se po ecim në drejtimin e duhur. Ne duhet të vazhdojmë me çdo kusht të luajmë në këtë mënyrë dhe të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur, pasi ende nuk e kemi arritur objektivin. Puna që filluam në tetor nuk mund t’i jepte frytet menjëherë. Çdo gjë kërkon kohë dhe mund të them se tashmë ne jemi një ekip i vërtetë, ” deklaron tekniku italian.
”Po flitet shumë për të ardhmen, por më e rëndësishme është të jetojmë të tashmen. Nesër kemi një ndeshje të vështirë kundër Bologna, ku Sinisa Mihajlovic duhet përgëzuar për punën që po bën. Unë po e shijoj shumë aventurën time këtu me këtë ekip të mrekullueshëm. Ditët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për fatin tonë në Europë, prandaj nuk kemi pse të mendojmë për gjëra të tjera.
Të kualifikohemi direkt në grupet e Europa League do të ishte e mrekullueshme, por nëse e duam diçka të tillë atëherë kemi punë për të bërë. Ibra? Seancat e sotme dhe të nesërme stërvitore do të jenë shumë të rëndësishme. Ai ndihet mirë, por unë do të zgjedh njëmbëdhjetëshen time. Më duhen alternativa në stol dhe Zlatan mund ta nisë nga stoli nesër ndeshjen,’’ mbyll Pioli. /abcnews.al