Rikthimi i tifozëve në Angli e Itali, Johnson e Spadofara japin lajmin e mirë

schedule12:40 - 17 Korrik, 2020

schedule 12:40 - 17 Korrik, 2020

Një lajm i mirë vjen nga Britani e Madhe. Kryeminstiri Boris Johnson ka zbuluar ditën e sotme se tifozët mund të rikthehen në stadiume në vjeshtë. Në një konferencë për shtyp në “Downing Street”, ai deklaroi se do të bëjnë të pamundurën për të kthyer çdo gjë në normalitet. Fillimisht pritet që rikthimi i tifozëve në shkallët e stadiumve të bëhet nën masat e rrepta të higjenës, si dhe duke respektuar distancimin social.

Ndeshja e fundit që është zhvilluar në Angli me tifozë është ajo mes Liverpool dhe Atletico Madridit në Champions League, më 11 mars. Më pas futbolli u ndërpre për rreth tre muaj, për të rifilluar sërish më 17 qershor me dyer të mbyllura.

Ndërkohë dhe nga Italia vjen një lajm i mirë, pasi ka qenë ministri Spadafora që ka deklaruar se po punohet për të rihapur stadiumet në shtator. “Pandemia e Coronavirusit na bllokoi të gjithëve, por tashmë gradualisht do t’i rikthehemi normalitetit. Nëse mbajmë këtë ritëm, atëherë do t’i kemi të gjitha mundësitë për t’i rihapur stadiumet në shtator.

Është e vërtetë që në fillim do kemi një numër të caktuar për tifozët, por situata më e rrezikshme është në momentin e hyrjes në stadium, ku do të jetë shumë e rrezikshme të futen 10.000 tifozë në të njëjtën kohë. Pas dy javësh është fundi i kampionatit dhe do të kemi një tjetër mbledhje dhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Unë po bëj gjithçka që këtë plan ta vendosim në zbatim në shtator”, mbyll Ministri i Sportit në Itali. /abcnews.al