A do të ketë kryeministër shqiptar? Gazetarja tregon “prapaskenat” në Maqedoninë e Veriut

schedule16:58 - 16 Korrik, 2020

schedule 16:58 - 16 Korrik, 2020

Në Maqedoninë e Veriut u zhvilluan dje zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Teksa kanë mbetur edhe një përqindje e vogël votash për t’u numëruar, Zoran Zaev ka shpallur fitoren e Lidhjes Social Demokrate dhe koalicionit “Mundemi”.

Ndërkaq, partitë shqiptarë kanë arritur të marrin 32 deputetë në parlamentin maqedonas. Për të folur për këto zhvillime ishte në studion e Abc News me Endri Xhafon, gazetarja Linda Karadaku.

Gazetarja e Abc News e cilësoi historike marrjen e 32 deputetë nga shqiptarët, pasi kjo ndodh për herë të parë që nga viti 1991.

“Është fitore historike që nga viti 1991 kur Maqedonia e Veriut mori pavarësinë. Këtë numër deputetësh nuk e kanë pasur asnjëherë. 32 janë shumë në një parlament me 122 vende”, deklaroi ajo.

Duke cituar burime nga politikanë të lartë në Maqedoninë e Veriut, Karadaku u shpreh se shqiptarët do të fillojnë që nesër negociatat për formimin e qeverisë së re. Sipas saj, Ali Ahmeti do të ulet në tryezë, por e rëndësishme është se çfarë do të kërkojë.

“Nga burime të politikanëve të lartë negociatat mund të fillojnë që nesër për formimin e qeverisë. Sot ne mëngjes Ali Ahmetit ka telefonuar Bilal Kasamin e Besës dhe i ka uruar fitoren. Dhe Bilal Kasami i ka uruar fitoren Ali Ahmetit.

Ali Ahmeti do të ulet në tryezë. E rëndësishme është se çfarë do të kërkojë. Çfarë do të mbetet pjesë negociatave. A do të jetë kryeministri shqiptar pjesë e negociatave, apo do të hiqet dorë në këmbim të ministrive. Apo do të kemi një kryeministër shqiptar 2 vjet dhe kryeministër maqedonas dy vite të tjera”, u shpreh ajo. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!