Sekretari Organizativ në PD, Eno Bozdo, ka reaguar pas votimit në Komisionin e Ligjeve, i cili miratoi draftin e opozitës së re për hapjen e listave të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme.
Bozdo përmes një postimi në Facebook, shkruan se me këtë vendim Rama hodhi hapin për të ndryshuar Kushtetutën e RSH, online dhe pa asnjë konsultim paraprak, në kundërshtim të plotë me interesat e vendit dhe qëndrimin e BE dhe SHBA.
Ndër të tjera ai thekson se kjo është një strategji që Rama mendon se do e bëjë fitues të një mandati tjetër. Në postimin e tij ai sjell rastin e Bjellorusisë, ku shkruan se Lukashenko i Bjellorusisë dhe ai i Shqipërisë, vepruan si të sikronizuar vetëm për siguruar kolltukun e tyre me çdo kusht.
Statusi i plotë:
Edi Rama sot hodhi hapin për të ndryshuar Kushtetutën e RSH, online dhe pa asnjë konsultim paraprak, në kundërshtim të plotë me interesat e vendit dhe qëndrimin e BE dhe SHBA, vetëm sepse mendon se kështu mund të ketë ndonjë shans për të fituar një mandat tjetër.
Po sot, KQZ e Bjellorusisë, me urdhër të Lukashenkos, i mohoi regjistrimin kandidatit dhe sfiduesit kryesor të tij për zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
Sot pra, Lukashenko i Bjellorusisë dhe ai i Shqipërisë, vepruan si të sikronizuar vetëm për siguruar kolltukun e tyre me çdo kusht. Të dy janë armiqtë më të egër në Evropë të ligjit, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Të dy janë gati të bëjnë çdo gjë kundër vendit të tyre, mjafton që pushteti të mos tu preket. Të dy janë diktatorë, dhe si të tillë ditët i kanë të numëruara. Është vetëm çështje kohe. Në Tiranë, me sa duket, kohës i ka ardhur fundi!/abcnews.al